Kosova

“Gjermania s’është në të njëtën linjë me Francën për rishikimin e vendimit për viza”


Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron

Me paralajmërimin e Francës se njëra ndër masat që mund të merret ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse ato “nuk sillen me përgjegjësi” në procesin e dialogut është edhe shqyrtimi i regjimit të vizave për të dy vendet duke se nuk po pajtohet Gjermania.

Kështu të paktën raporton portali i lajmeve Euractiv, duke u thirrur në burime brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Franca dhe Gjermania prej kohësh kanë adoptuar një qasje të sinkronizuar ndaj Kosovës, duke miratuar qëndrime dhe deklarata të përbashkëta dhe duke u përfshirë fuqishëm në një nga projektet e fundit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë –  planin franko-gjerman.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se “Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi”.

Ndonëse kancelari gjerman, Olaf Scholz, nuk ka bërë një deklaratë të ngjashme publike ende, një burim brenda Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë i ka thënë Euractiv se Gjermania do t’i përmbahet vendimit të Bashkimit Evropian dhe nuk ka plan të devijojë nga kjo rrugë që do të thotë se përfshirja e Gjermanisë nga Macron në deklaratën e tij është bërë pa marrëveshje paraprake me Berlinin.

“Gjermania i nënshtrohet rregulloreve të miratuara nga BE në prill 2023. Sipas këtyre , shtetasit kosovarë, në të ardhmen, do të përjashtohen nga kërkesa për vizë për qëndrime të shkurtra në zonën Shengen [deri në 90 ditë në një periudhë prej 180 ditësh]. Kjo dispozitë do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Kjo do të thotë se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do të përjashtohen në mënyrë uniforme nga kërkesa për viza për qëndrime afatshkurtra në zonën Shengen”, i ka thënë burimi Euractiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore