Kosova

Gërvalla për mungesën e njohjeve për Kosovën: Jemi përqendruar në diçka tjetër, njohjet s’janë elementi kryesor


Vjosa Osmani dhe Prindon Sadriu

Qeveria aktuale e Kosovës tash e dy vjet nuk ka arritur të sigurojë njohje të reja, por, e pyetur për këtë, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar në konferencë për media, se për të njohjet nuk janë çështja më e rëndësishme dhe është fokusuar në të tjera gjëra.

“Ka një kohë që s’kemi njohje të reja. Por, njohja në vetvete nuk është elementi kryesor që e përcakton suksesin e politikes së jashtë të Kosovës”, pohoi ajo.

“Jemi përqendruar fillimisht në forcimin e marrëdhënieve me shtetet që veç i kemi njohjet formale, por s’kemi pasur shkëmbim dhe marrëdhëniet nuk kanë qenë të materializuara”, shpalosi Gërvalla strategjinë e saj.

“Në politikën e jashtme të Kosovës nganjëherë marrëdhëniet edhe më të mira me shtetet përkrahës kanë më shumë peshë, se sa njohje të reja”.


Gërvalla lavdëron punën e ambasadorit Martin Berishajn: I ka stabilizuar marrëdhëniet me Kroacinë

Martin Berishaj

Kroacia është një nga shtetet më përkrahëse të Kosovës në arenën ndërkombëtare, por ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se përkundër sa të shkëlqyeshme raportet, është ambasadori, Martin Berishaj, ai i cili “i ka stabilizuar marrëdhëniet me Kroacinë”.

Këto komente ministrja i ka bërë në konferencë për media, kur u pyet përsëri për Berishajn dhe skandalin e tij në Slloveni, ku disa media raportuan se ai është pjesë e një skeme për shpëlarje parash.

“Unë e kam pritur kohë më parë kur pati raportimet rreth akuzave të cilat nju i keni shpërndarë me shumë zell. E kam takuar, kam biseduar, më ka raportuar me shkrim”, pohoi Gërvalla.

“E kam krahasuar versionin e tij me shtetet tjera nga të cilat kemi kërkuar informacione. Kemi pasur nga të tre shtete konfirmimin që nuk ka asgjë për çka do mund të akuzohej Berishaj. Prandaj ai vazhdon punën”.

Ajo ka shtuar se “në të ardhmen nëse do të mund të konstatonim shkelje ligjore, atëherë do të merren patjetër masat e nevojshme”.

“Unë isha në Dubrovnik. Kam takuar shumë politikanë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe kroatë, dhe aty e pash që Berishaj ka krijuar jo vetëm lidhje të mira me kolegët e tij, por në të njëjtën kohë ka stabilizuar marrëdhëniet, edhe ashtu të shkëlqyeshme, me Kroacinë”.


Gërvalla pas dënimit të MPJ-së për mostransparencë: S’kemi shifra për shpenzime individuale të diplomatit Prindon Sadriut

Prindon Sadriu

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se nuk do ta kishin problem të publikonin shpenzimet e diplomatit, njëherit burrit të presidentes, Prindon Sadriu, porse ato shifra nuk i kanë.

Ajo u pyet, pasi ministria është dënuar me 13 mijë euro gjobë, meqë s’ia ka ofruar një mediumi këto shifra.

Sipas Gërvallës, s’bëhet fjalë për mos-transparencë, por thjesht ministria nuk mban shifra për shpenzimet individuale të diplomatëve, por vetëm për shpenzimet e misionit.

Bëhet fjalë për shpenzimet që Sadriu i ka bërë duke udhëtuar nga Kosova për në Maqedoni, meqë atje ishte me mision diplomatik, derisa familja i jeton në Prishtinë.

“Ne kemi pasur një kërkesë për shpenzime individuale të një diplomati, ministria në sistem shpenzimet e misioneve i ka si shpenzime të misioneve nuk janë të ndara individualisht. Prandaj, edhe duhet reformë në këtë institucion. Është e nevojshme që të ndajmë veç e veç shpenzimet”, deklaroi Gërvalla në konferencë për media.

Gërvalla shtoi se tashmë ka marrë vendimin që të ri-organizohet data-baza e shpenzimeve dhe kështu t’i publikojnë të gjitha, edhe pa i kërkuar gazetarët fare.

“Unë mendoj se është diçka shumë logjike dhe shumë e thjesht, s’kemi interesim të fshehim asnjë shpenzim. Kemi lutur departamentin e financave që të përgatisë, duke filluar nga shpenzimet e kabinetit, pa pasur nevojë që fare të dërgoni kërkesë, por do t’i publikojmë shpenzimet edhe ato të së kaluarës edhe ato aktualet, që të kemi transparencë”.

“Jemi në aspektin teknik, vendimi politik është marrë. Në momentin që kemi një përvojë me shpenzimet e kabinetit, do të publikojmë edhe shpenzimet e misioneve”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore