Kosova

Gërvalla për 11 shtatorin: Tregoi se sa i madh është kërcënimi që paraqet terrorizmi për botën


Donika Gervalla dhe Albin Kurti

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka thënë se 11 shtatori e tregoi pa asnjë dyshim se sa i madh është kërcënimi që paraqet terrorizmi për botën.

Këto komente, Gërvalla i ka bërë përmes një postimi në Facebook, në 23 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Gërvalla, së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe Zëvendës-shefen e Misionit të ShBA-ve në Kosovë Prattipati, kanë nderuar viktimat e 11 Shtatorit pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”.

“Me krenari luftojmë krah për krah me trupat e SHBA-ve kundër terrorizmit në mbrojtje të qytetërimit. Kosova është krenare ta quajë ShBA-në aleatin e saj më të rëndësishëm”, potencoi kryediplomatja kosovare.

Sulmet terroriste të 11 shtatorit i ka përkujtuar edhe presidentja Vjosa Osmani.

“11 shtatori – ditë dhimbjeje, kujtese dhe solidariteti të palëkundur”, ka shkruar Osmani fillimisht në Facebook.

E para vendit ka theksuar se sulmi tragjik i 11 shtatorit ka ndryshuar përgjithmonë rrjedhën e historisë duke lënë gjurmë të pashlyeshëm “në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike”.

“Tmerri dhe humbja e pakuptimtë e afër 3000 jetëve na kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist. Imazhet, pikëllimi dhe ankthi mbeten të gdhendura në kujtesën tonë kolektive”.

“Në këtë ditë ne gjejmë forcën në unitet, duke qëndruar përkrah popullit amerikan, si gjithmonë, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë!”, ka shtuar Osmani.

Ndërsa, kryeministri Kurti deklaroi se Kosova qëndron fuqishëm në aleancë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kosova, shtoi ai, solidarizohet me familjet e viktimave, që në mesin e të vrarëve ishin edhe tre shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore