Lajme

Gërvalla flet kundër “mini- Schengenit” edhe në Slloveni


Takimi informal i ministrave të shteteve të Ballkanit në Brdo Pri Kranju-Slloveni

“E quajnë ‘mini-shengen’ dhe na thonë vazhdimisht që ky nuk është në kundërshtim me rrugëtimin drejt BE-së. Por kjo nuk është e vërtetë. Na thonë që i shërben bashkëpunimit rajonal. As kjo, nuk është e vërtetë”, ka thënë Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, në diskutimin jo-formal në Brdo Pri Kranju të Sllovenisë.

Gërvalla po merr pjesë atje bashkë me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Në këtë takim janë prezantuar edhe prioritetet e presidencës së Sllovenisë ku çështja e tejkalimit të situatës me pandeminë Covid-19 ishte tema kryesore.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla dhe Sekretari slloven i Shtetit për Punët e Jashtme, Gašper Dovžan

Gërvalla ka folur edhe për bashkëpunimin rajonal dhe idenë e tregut të përbashkët rajonal si plan dhe strategji për bashkëpunimin rajonal dhe zgjidhje të konflikteve.

Ajo, siç njofton edhe MPJ e Kosovës në Facebook, ka thënë se në Ballkan ka aktorë që po tentojnë ta minojnë këtë koncept duke u përpjekur t’i kthejnë kohërat e vjetra në rajon, “kur përplasjet politike dhe ekonomike ishin të ndërlidhura”.

Në takim gjithashtu është diskutuar edhe për temat që lidhen me procesin e zgjerimit, sundimin e ligjit si dhe zgjidhjet për krijimin e një Evrope të qëndrueshme pas pandemisë Covid-19.

Kërkesë e të gjithë të pranishmëve në takim ishte që të bëhet vaksinimi në masë si mënyra e vetme për t’ju kthyer normalitetit shtetet.

Aktualisht, Sllovenia ka mandatin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, ndërsa nikoqir i takimit ishte sekretari slloven i Shtetit për Punët e Jashtme, z.Gašper Dovžan.

Takimi jo-formal mes ministrave të Jashtëm dhe për Çështje Evropiane të BE-së dhe shteteve të Ballkanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore