Kosova

Gërvalla e ambasadori Bajrami angazhojnë këshilltar me rrogë 7 mijë e 500 euro në muaj


Donika Gervalla

Ministria e Punëve të Jashtme, që udhëhiqet nga Donika Gërvalla, paguan Gani Jakupin, si “këshilltar i jashtëm” plotë 7 mijë e 500 euro, i angazhuar nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, si “këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike”.

Në qershor të këtij viti, Ministria e Punëve të Jashtme, nëpërmjet një vendimi, të cilin e ka publikuar mediumi “Periskopi”, ia kishte deleguar kompetencat e negocimit të një kontrate për “super-konsulentin”, ambasadorit Bajrami.

Pra, “super-konsulenti” që diplomati kosovar e ka angazhuar është Gani Jakupi – i cili jeton në Barcelonë të Spanjës.

Gani Jakupi

Koha që i është nevojitur për ta angazhuar Jakupin si ‘këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike’, ka qenë vetëm 2 javë.

Jakupi, do ta këshillojë ambasadën e Kosovës në Bruksel lidhur me çështje që kanë të bëjnë kryesisht me diplomacinë publike dhe kulturore.

Oferta për gjetjen e konsulentit, nga MPJ ishte hapur më 13 qershor 2023, ndërsa dy ditë më vonë, saktësisht më 15 qershor, komisioni kishte vendosur që të mblidhej për ta përfunduar procesin e vlerësimit të kandidatit.

Më 19 nëntor, MPJ, përmes një vendimi, ia kishte deleguar kompetencat për këtë proces ambasadori Bajrami.

Bajrami, një ditë pasi që merr kompetencat, pra me 20 qershor, bënë marrëveshje me Gani Jakupin – i angazhuar si “Konsulent i Jashtëm për Çështje Kulturore dhe Mediatike”.

Kontrata e nënshkruar me Jakupin, që përmban 5 faqe në total, e obligon atë që të angazhohet kryesisht në takime me gazetarë, artistë, drejtorë festivalesh etj.

Përveç pagës mujore [7 mijë e 500 euro], Kosova nga buxheti i saj ia mbulon edhe shpenzimet me gazetarë e artistë.

Në kontratën bazë, Gani Jakupit i përcaktohet fushë-veprimtaria e takimeve me gazetarë e artistë në shtetet e Beneluksit (Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg).

Ndërsa, në aneksin e kontratës, fushë-veprimtaria e tij i zgjerohet edhe në Bruksel e Paris.

Në të gjitha këto angazhime, Jakupi do të merret me takime me gazetarë e drejtorë galerish.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore