Kosova

FSK-ja përfundon trajnim për automjetet HMMWV, Maqedonci thotë se janë të gatshëm për sfida


Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), ka përfunduar trajnimin për automjetet HMMWV.

Lajmin e ka kumtuar Maqedonci, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, duke e vlerësuar FSK-në si “profesional dhe të gatshëm për sfida”.

“Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së, dhe planit të trajnimeve, në Komandën e Forcave Tokësore ka përfunduar trajnimi për Automjetet HMMËV, i realizuar nga instruktorë të licencuar të FSK-së, ku morën pjesë kursant nga Regjimentet e Këmbësorisë, Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Gardës Kombëtare dhe Policisë Ushtarake”, ka shkruar Maqedonci.

Kreu i dikasterit, ka treguar edhe arsyet e këtij trajnimi.

“Qëllimi i trajnimit ishte përgatitja e pjesëtarëve të FSK-së për ngasje të Automjeteve Taktike, Funksionimi Motorik, Metodat e Ngasjes, Kalimi i Pengesave, Manovrimi në terrene të vështira dhe tërheqja e tyre”.

Më 27 korrik, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë kryer aktivitete të përbashkëta ushtarake me Gradën Kombëtare të Iowa-s.

Ndërsa, më 4 dhjetor, Forca së Sigurisë së Kosovës (FSK), kishte marrë pjesë në trajnimin e organizuar në Zvicër, ku për pesë ditë kishin zhvilluar trajnimin “Kërkim-Shpëtimi Urban”.

Ministri kishte thënë se pjesëtarët e FSK-së edhe në atë trajnim kishin treguar shkallë të lartë profesionalizmi duke dëshmuar kësisoj potencialin e jashtëzakonshëm që ekziston brenda QNTKSH për t’u shndërruar në qendër të njohur ndërkombëtarisht në fushën e kërkim-shpëtimit, me Kosovën si shtet pritës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore