Sport

FSHF-ja sqaron “avaritë” për biletat e ndeshjes me Çekinë


Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka reaguar pas kritikave në adresë të saj për shitjen e biletave të ndeshjes së radhës me Republikën Çeke, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” më datë 12 tetor, në orën 20.45.

Kjo e fundit, do të jetë një ndeshje me interes shumë të lartë nga publiku shqiptar që jeton brenda dhe jashtë Shqipërisë.

FSHF-ja sqaroi fillimisht se në portalin e biletarisë (ebileta.al) dhe në faqen zyrtare të Federatës kanë qënë mbi 300 mijë persona ne pritje në orët para dhe gjatë shitjes së biletave.

“Biletat e nxjerra në shitje në një kohë rekord janë mbaruar. Në të njëjtën kohë dëshirojmë të saktësojmë se biletat e kërkuara nga tifozeritë e organizuara që mbështesin ekipin kombëtar në ndeshjet brenda dhe jashtë vendit janë të reservuara dhe i shpërndahen tifogrupeve të cilët bëjnë shpërndarjet për anëtarët e tyre”, vërejti organizata kombëtare e futbollit.

Federata theksoi se për ndeshjen me Çekinë ka vepruar me të njëjtat procedura dhe rregulla si në ndeshjet me Moldavinë dhe Poloninë ku secili aplikant mund të blinte jo më shumë se 4 bileta.

Për arsye të mbingarkesës e rradhës së madhe të aplikantëve sistemi ka pasur disa herë rënie, të cilat janë stabilizuar dhe shitja ka filluar në orën 21.15 siç është njoftuar në kanalet tona zyrtare të komunikimit, shtoi FSHF-ja.

Sipas saj, rastet e individëve që kanë bërë pagesa dhe nuk kanë arritur të marrin biletën nga portali biletarisë janë zgjidhur të gjitha me sistemin bankar që ka kthyer mbrapsh të gjithë pagesat e kryera.

Në përmbyllje, FSHF-ja falënderoi të gjithë tifozët për interesimin dhe kërkoi mirëkuptim për mosplotësimin e të gjithë kërkesave të tyre.

“Çdo stadium i ndërtuar do të ishte i pamjaftueshëm për të përmbushur kërkesat për këtë ndeshje”, ravijëzoi federata e futbollit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore