Lajme

Forcat ruse bombarduan Azovstal-in, ku fshihen qindra civilë


Në Mariupol, forcat ruse po bombardojnë Azovstal-in, duke gjuajtur me artileri dhe tanke në sektorin e banimit të distriktit të Bregut të Majtë.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat ukrainase, të cilat citojnë deklaratën e kryebashkiakut Petro Andryushchenko në kanalin e tij të “Telegram-it”.

“Okupatorët po sulmojnë jo vetëm me bomba të rënda në Azovstal, por artileria dhe tanket vazhdojnë të godasin në mënyrë kaotike sektorin e banimit të lagjes së Bregut të Majtë, përgjatë vijës nga Bulevardi Meotida”, theksoi kryetari i bashkisë.

Sipas Andryushchenko-s, më 18 prill, trupat ruse hapën një korridor për civilët në këtë zonë për të marrë gjërat nga shtëpitë e tyre.

Më herët, një përfaqësues i “Milicisë Popullore të DNR-së”, Eduard Basurin, njoftoi në transmetimin e kanalit televiziv propagandistik rus Russia 24 se sulmi në Azovstal kishte filluar.

“Pjesërisht grupet e sulmit, të cilat janë përzgjedhur posaçërisht për sulmin ndaj këtij objekti, kanë filluar punën e tyre”, shtoi Basurin.

Komisionerja e Verkhovna Rada-s (parlamenti ukrainas) për të Drejtat e Njeriut, Lyudmila Denisova, raportoi se rreth një mijë vendas fshihen nga bombardimet ruse në uzinën Azovstal.

“Mes tyre ka gra, fëmijë dhe të moshuar”, tha zyrtarja ukrainase.

Kreu i policisë patrulluese të Mariupol-it, Mykhailo Vershinin, konfirmoi gjithashtu se një numër i madh civilësh, përfshirë gra dhe fëmijë, ishin të pranishëm në territorin e uzinës Azovstal.

Sipas bashkisë së Mariupol-it, tashmë ka informacion për katër kampe filtrimi brenda qytetit, të cilët mbajnë qytetarët përpara deportimit në Rusi.

Në total janë 100 mijë banorë në Mariupol, dhe 50 mijë civilë të tjerë në pritje të ndihmës dhe evakuimit në fshatrat në periferi të qytetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore