Sport

Finalja e Conference League, fillon numërimi mbrapsht


Dita e finales erdhi. Tashmë ka filluar numërimi mbrapsht.

Stadiumi “Air Albania” do të presë finalen e parë historike të kompeticionit më të ri të UEFA-s, Conference League. Finale, e cila është e para e këtij lloji edhe për Shqipërinë.

Në orë 21:00, italianët e Roma-s do të përballen me holandezët e Feyenoord-it. Të dyja skuadrat janë në kërkim të lavdisë ndërkombëtare.

Trajneri i Roma-s, Jose Mourinho, ka shansin të bëhet trajneri i parë që fiton tre kompeticionet e UEFA-s, Champions League, Europa League dhe Conference League.

Nga ana tjetër, të njëjtin rekord mund të vendos edhe skuadra holandeze. Feyenoord-i deri më tani ka triumfuar në Champions League dhe Europa League.

Historiku i skuadrave në kompeticionet e UEFA-s

Roma ka humbur dy herë në finalet Evropiane, ndërsa nuk numëron asnjë sukses. Verdhekuqtë humbën në finalen e European Cup, sot Champions League, në sezonin 1983-84 përballë Liverpool-it (1-1 koha rregullt, 4-2 me penallti).

Në vitin 1991, humbën përballë Inter-it në finalen me dy ndeshje të UEFA Cup, sot Europa League. Zikaltërit fituan 2-0 në Milano, ndërsa Roma triumfoi 1-0 në kryeqytet.

Situata për Feyenoord-in është më ndryshe. Holandezët kanë fituar European Cup në vitin 1970, pasi mposhtën Celtic-un në kohë shtesë 2-1.

Holandezët kanë triumfuar dhe dy herë në UEFA Cup. Në vitin 1974 mundën në finale me dy ndeshje Tottenham-in (2-2 në Angli, 2-0 në Roterdam).

Në vitin 2002, Feyenoord-i triumfoi në UEFA Cup përballë gjermanëve të Borussia Dortmund-it, me rezultatin 3-2.

Si luan Roma?

Mourinho preferon tre mbrojtës, dy mesfushorë solid, dy anësorë dhe dy lojtarë të tjerë që mbështesin sulmuesin e vetëm, Tammy Abraham-in.

Nicolo Zaniolo dhe Lorenzo Pellegrini qëndrojnë pas krahëve të sulmuesit anglez dhe synimi është ta nxjerrin atë të vetëm përballë portierit.

Roma pëlqen të luajë me kundërsulme, duke e çuar topin para me sa më pak prekje të jetë e mundur.

Si luan Feyenoord?

Formacioni i preferuar i holandezëve është 4-2-3-1, me sulmues të vetëm, Cyriel Dessers. Por, në realitet, Luis Sinisterra harxhon më shumë kohë duke qenë në sulm.

Taktika bazohet në zotërimin e topit.

Kundër Marseille-s në gjysmëfinale ata përdorën topat e gjatë pas shpinës së mbrojtjes, çfarë u rezultoi me efekt shkatërrues për kundërshtarin.

Kush është lojtari kryesor i Roma-s?

Tammy Abraham. Anglezi u ble në fillim të sezonit për të zëvendësuar Edin Dzeko-n. Një detyrë jo e lehtë, por ai ia doli më së miri dhe sot do të jetë kërcënimi numër një për portën e Feyenoord-it.

Sulmuesi shtatlartë është shumë i lëvizshëm, lidhet me lojtarët e tij në mesfushë dhe shfrytëzon mirë hapësirat.

Nëntë gola për sulmuesin e Roma-s këtë turne tregojnë qartë aftësinë e tij.

Kush është lojtari kryesor i Feyenoord-it?

Cyriel Dessers pa dyshim që është më i rëndësishmi te skuadra holandeze. Sulmuesi ka gjetur 10 herë rrjetën në këtë kompeticion, duke qenë dhe golashënuesi më i mirë i turneut.

Një lojtar i shpejt dhe që ka treguar se mund të jetë me të vërtetë i rëndësishëm për skuadrën.

Kush është trajneri i Roma-s?

Jose Mourinho është një nga trajnerët më të njohur në historinë e futbollit. Portugezi numëron dy suksese në Champions League dhe dy në Europa League.

Sot kërkon suksesin e radhës në kompeticionin më të ri të UEFA-s. Ai nihet si një njeri që di të menaxhojë presionin e lartë të finaleve.

Kush është trajneri i Feyenoord-it?

Arne Slot, pasi drejtoi në mënyrë të shkëlqyer skuadrën e AZ Alkmaar-it, kaloi në krye të Feyenoord-it. Me vetëm një vit në stolin e skuadrës nga Roterdami ai mundi t’i dërgonte ata në finale.

Megjithatë, ai nuk ka asnjë sukses në arenën ndërkombëtare, apo kombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore