Shqipëria

Fëmijët s’po trokasin në derën e psikologut


Asokohe, rrallë flitej e dëgjohej për psikologun e shkollës.

Episode të viteve më parë, kur figura e tij, siç shfaqej ashtu, edhe zhdukej nga korridoret e shkollës.

Ishte i huaj për institucionin, për nxënësit.

Ngjashëm ishin edhe shkollarët e vegjël për të. U merreshin këmbët deri sa të shkonin te një nga zyrat ku ai qëndronte. E prapë, derën thjesht e shihnin të habitur, nuk trokisnin.

Ktheheshin mbrapsht.

Mundet që diçka të ketë ndryshuar.

Psikologu i shkollës, tanimë është pjesë e pandarë e ditëve të të nxënit brenda atyre mureve.

Por a ka më mimika të habitura pas derës së tij?

“Për fat të keq, ende vazhdon stigmatizimi i personave që shkojnë dhe kërkojnë ndihmë te psikologu”.

Ky është një ndër konkluzionet e arritura nga psikologia shkollore Xhensila Durrsi.

Për Albanian Post, ajo tregon se janë të pakta rastet e fëmijëve që e marrin guximin dhe trokasin vetë te psikologu për të kërkuar ndihmë.

Hezitimi vërehet edhe te takimet e para, ku ata shfaqin vështirësi për t’u shprehur, por që me krijimin e marrëdhënies fillojnë të ndihen më komodë dhe më të gatshëm për të biseduar rreth gjërave që i shqetësojnë.

Për sa i përket raportit djem-vajza, janë vajzat ato që ndihen më komode dhe më të lirshme për të kërkuar ndihmë dhe për t’u shprehur te psikologu.

Rastet ende në ritme të ulëta e kthejnë vendosjen e psikologut në çdo institucion arsimor “më se të domosdoshme”.

Frytet i ka dhënë shtimi i numrit të psikologëve nëpër shkolla gjatë vitit të kaluar. “U rrit rëndësia dhe u përmirësua cilësia e këtij shërbimi”, pohon Durrsi.

Po ashtu është shtuar edhe puna e psikologëve shkollorë në ndihmesën e dhënë ndaj çdo nxënës për nevojat dhe zgjidhjen e problematikave.

“Janë zbehur disi paragjykimet mbi këtë profesion, i cili më parë vlerësohej si i panevojshëm në institucione arsimore. Por akoma hasen raste ku psikologët nuk gjejnë dot urat e duhura të bashkëpunimit me aktorët e tjerë ndërverpues, si mësues, drejtues e prindër”.

Dhe për psikologen, mungesa e informacionit mbi këtë profesion nga këta aktorë mundet që “ndonjëherë” të kthehet në një pengesë për realizimin e punës së shërbimit psiko-social.

Prandaj dhe bashkëpunimi i mirë prind-mësues-psikolog është baza për të pasur sukses në menaxhimin dhe trajtimin e çdo rasti problematik.

Sakaq, rastet mund të jenë nga më të ndryshmet.

Nga ato që referohen nga vetë prindërit, të cilët kërkojnë ndihmë për fëmijën e tyre apo të tjera që paraqiten nga mësuesit kujdestarë në varësi të ndryshimeve të sjelljes që kanë parë te nxënësi.

“Rastet që mbartin problematika familjare janë ndër rastet më të vështira për t’u trajtuar, pasi në shumë prej tyre mungon bashkëpunimi nga ana e prindërve”, tregon ajo.

Paçka se nga shërbimi psiko-social merren të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë zgjidhje problematikës së shfaqur, prindërit janë faktor kyç për menaxhimin dhe zgjidhjen e shumë prej problematikave që fëmijët shfaqin.

Të jesh psikolog shkollor

“Psikologu shkollor është një ndër aktorët më të rëndësishëm në institucionet arsimore pasi ndikon në përmirësimin e veprimtarisë mësimore dhe edukative në shkolla”.

Kështu thotë psikologia Durrsi.

Për të, psikologu luan rol kyç në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm nga ana psikologjike, jo vetëm për nxënësit, por edhe për punonjësit e tjerë arsimorë.

Nga ana tjetër, ai duhet të përvetësojë njohuri të mira në disa fusha, siç është këshillimi, fushat e motivimit, psikologjia e zhvillimit, psikologjia e të mësuarit dhe ajo klinike.

Pasi ka rol të rëndësishëm në menaxhimin dhe zgjidhjen e problematikave të ndryshme sociale e emocionale që mund të paraqiten në shkollë.

“Duhet të sigurojë shërbime efikase me qëllim kryesor të ndihmojë fëmijët për të pasur sukses në aspektin akademik, të sjelljes dhe emocional”, dallon ajo.

Gjithashtu tregon disa hapa specifikë

Gjatë punës, psikologu shkollor ndjek disa hapa duke realizuar si fillim identifikimin dhe vlerësimin e nxënësve me probleme sociale, emocionale, të sjelljes apo të të nxënit.

Më tej, planifikohen dhe ofrohen shërbime që ndihmojnë në zhvillimin social, arsimor dhe personal të nxënësve.

Pastaj, ai kombinon punën me rastet individuale me ndërhyrjet në grupe ose edhe në komunitet, me fokus kryesor informimin dhe parandalimin e fenomeneve të ndryshme sociale.

Por puna e shërbimit psiko-social nëpër shkolla shtrihet në një plan edhe më të gjerë.

“Dihet që thelbi i kësaj pune është ruajtja e interesit më të lartë të fëmijës, duke krijuar një mjedis të sigurt, por ata sigurojnë shërbime edhe për shkollën dhe familjen”, veçon Durrsi.

Për të pasur sukses në menaxhimin e trajtimin e një rasti, sipas saj, rëndësi të madhe ka edhe bashkëpunimi shkollë-familje.

Kështu, një aspekt i punës së punonjësve të shërbimit psiko-social janë edhe prindërit, duke i informuar ata për çështje të ndryshme sociale.

Ajo tregon se mund të realizohen orë të ndryshme informuese, trajnime, pyetësorë apo shpërndarje broshurash e fletëpalosjesh për t’i informuar dhe për të rritur bashkëpunimin.

Në të thella të problemeve

Problemet familjare rezultojnë më të shpeshtat.

Të tilla si mungesa e një atashimi të mirë prind-fëmijë, komunikimi jo-efektiv, marrëdhënie të komplikuara familjare, dhuna, abuzimi apo neglizhimi i fëmijëve.

“Në varësi të problematikës apo shqetësimit të shfaqur nga nxënësi realizohet një plan ndërhyrje, duke përcaktuar dhe hapat e nevojshëm që duhen ndërmarrë për ta zgjidhur këtë problematikë”, tregon psikologia.

Realizohet një vlerësim dhe një analizë e detajuar e gjithë problemit të shfaqur, duke realizuar vëzhgime, intervista, fokus grupe, aplikimin e instrumente të ndryshëm.

Dhe, në varësi të shqetësimit të shfaqur, realizohet ndërhyrja, duke përfshirë jo vetëm këshillimet individuale, por edhe këshillimet në grup dhe mbështetjen psiko-sociale.

Kur rasti është delikat

“Rastet e ngacmimeve seksuale janë rastet më delikate për t’u identifikuar, vlerësuar, menaxhuar dhe trajtuar”.

Në këto raste, sqaron Durrsi, është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me të gjithë aktorët e përfshirë. Nga prindërit, mësuesi kujdestar, drejtori i shkollës, njësia e shërbimit psiko-social deri te zyra arsimore.

Fillimisht, kryhet identifikimi dhe vlerësimi i rastit nga psikologu shkollor, realizohen takime me prindërit, me mësuesin kujdestar dhe me titullarin e institucionit.

Pas analizës së bërë për rastin, vihen në dijeni hallkat më të larta dhe, më pas, rasti referohet te Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve.

Psikologia thotë se është pikërisht PMF-ja që merret me menaxhimin e rastit, duke i ofruar çdo shërbim të nevojshëm.

Në varësi të masave të marra, psikologu shkollor ka një rol mbikëqyrës për rastin, duke e ndjekur atë hap pas hapi dhe duke parë ecurinë që do të ketë.

Kurse për rastet që paraqesin rrezikshmëri të lartë, “referimi mund të bëhet drejtpërdrejt në komisariat”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore