Përballje

Europa Leauge/ Roma përmbys rezultatin dhe kualifikohet


Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e xhiros së fundit të fazës së grupeve në Ligën e Evropës.

Skuadra e Romës e ka arritur qëllimin. Ekipi i Jose Mourinho-s mposhti Ludogorets, për ta rrëmbyer vendin e dytë që ia jep kualifikimin tutje në fazën e eliminimit direkt.

Kryeqytetasit ishin duke e humbur këtë takim, kur në minutën e 42-të braziliani, Rick, shënoi një super-gol për epërsinë e bullgarëve.

Pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të mysafirëve, derisa në të dytën ishin vendimtare dy penallti për skuadrën e Romës.

Fillimisht në minutën e 56-të, Lorenzo Pellegrini barazoi rezultatin, pastaj nëntë minuta më vonë, i njëjti futbollist u tregua përsëri i saktë, duke ia dhënë Romës epërsinë.

Në minutën e 77-të, Ludogorets barazoi rezultatin, por pas rishikimit të aksionit me anë të sistemit VAR, gjyqtari e anuloi golin për një faull.

Tetë minuta më vonë, Roma shënoi edhe golin e tretë për ta siguruar fitoren me anë të Nicolo Zaniolo-s.

Me këtë fitore, tani Roma e merr vendin e dytë në grup dhe do të luajë në “play-off”, ku kundërshtar do ta ketë një ekip të vendeve të treta në Ligën e Kampionëve.

Ndërsa, Ludogorets zë vendin e tretë dhe do të luajë në “play-off” të Ligës së Konferencës.

Ndërkohë, në këtë grup Real Betis e ka siguruar vendin e parë, që edhe në këtë ndeshje e mposhti Helsinkin, duke grumbulluar 16 pikë.

Në Grupin A u kualifikua direkt edhe skuadra e Arsenal-it që morën vendin e parë me 15 pikë. Në ndeshjen e sotme, londinezët mposhtën minimalisht Zurich-un me rezultat 1:0, ku golin e vetëm e shënoi Kieran Tierney.

Ndërkaq, në këtë grup, vendin e dytë e mori PSV Eindhoven, që sonte mpshtën norvegjezët e Bodo/Glimt me rezultat 1:2, ku këta të fundit e mbyllin grupin në vendin e tretë dhe do të vazhdojnë në Ligën e Konferencës.

Në Grupin B, Fenerbahce e mori vendin e parë. Skuadra nga Stambolli shënoi fitore me rezultat 0:2 në udhëtim te Dinamo Kyiev.

Kurse në këtë grup vendin e dytë e mori skuadra franceze, Rennes, që u ndalën në shtëpi nga AEK Laranca me rezultat 1:1, ku këta të fundit vazhdojnë në Ligën e Konferencës.

Kurse në Grupin D, skuadra belge, Royale Union mori vendin e parë, pavarësisht se u mposht nga Union Berlin me rezultat 0:1.

Kryeqytetasit e Gjermanisë vazhdojnë në vendin e dytë, ndërsa të tretin e mori Braga.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore