Euro prek nivelet më të ulëta, leku vazhdon të forcohet

SHFLETO
Sadiola Xhelili
19.08.2024 19:01
Loading Icons...

Monedha evropiane ka prekur nivelet më të ulëta të shënuara ndonjëherë.

Referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer këtë të hënë të 20 gushtit me 99.72 lekë, me një rënie prej 0.09 pikë në krahasim me fundjavën e shkuar.

Një shpjegim i mundshëm është fluksi i lartë turistik që ka pasur Shqipëria gjatë këtij viti, por edhe me remitancat.

Të dhënat tregojnë se për periudhën janar-korrik, Shqipëria priti 6.3 milionë turistë.

Niveli i euros përballë lekut duket se do të jetë një normalitet i ri në kursin e këmbimit dhe nuk parashikohet që të ketë një forcim të monedhës evropiane.

Po ashtu dollari amerikan ka humbur pikë përkundrejt lekut.

Sipas kursit zyrtar, një dollar u këmbye në vend me 90.33 lekë, rreth 0.51 lekë më pak se të premten.

Kurse paundi britanik u këmbye këtë të hënë me 117.05 lekë, ose 0.12 lekë më pak se të premten, ndërsa franga zvicerane u këmbye me 104.46 lekë, ose 0.12 lekë më pak se të premten.

Zhvlerësimi i euros ka ndikim negativ te eksportuesit që kostot i kanë në lekë dhe fitimet në euro.

Gjithashtu ekspertët thonë se dëmton edhe qytetarët që i kanë kursimet në euro, pasi zhvlerësohen kundrejt lekut.

Të dëmtuar janë edhe ata qytetar që i kanë të ardhurat në euro, por edhe vetë buxheti i shtetit humb nga ky zhvlerësim sepse gjeneron më pak të ardhura nga doganat.

Por Banka e Shqipërisë e vlerëson dobësimin e euros si një faktor pozitiv pasi ndikon direkt në mbajtjen nën kontroll të çmimeve të konsumit.

Gjithashtu një trend i tillë është pozitiv edhe për të gjithë ata persona që kanë kredi në euro sepse do të paguajnë më pak.

Përfitime nga një lekë i fortë përballë euros ka edhe Qeveria pasi paguan më pak kosto për borxhin e jashtëm.