Kosova

Enver Sekiraqa dënohet me 25 vjet burgim


Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, e ka dënuar Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Sekiraqës i është ndërprerë edhe masa e arrestit shtëpiak.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vjetësh.

Megjithatë, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Polici Triumf Riza u vra me armë zjarri më 30 gusht 2007 me të dalë nga një lokal në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Për vrasjen e tij ishte dënuar Arben Berisha, i cili ka pranuar se ka shtënë në drejtim të Rizës.

Këtij incidenti, siç pretendonte Prokuroria, i kanë paraprirë një seri incidentesh, ku më i voni ishte incidenti në “Swiss Casino” në dhjetor 2006.

Në incidentin në “Swiss Casino”, ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër.

Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore