Kosova

Emërohet një pjesë e bordit të “Trepçës”


Foto: Albanian Post.

Qeveria e Kosovës, ka miratuar propozim vendimin për emërimin e bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes publike qendrore “Trepça”, në të cilin janë emëruar kryesuesi dhe katër anëtarë, ku kanë aplikuar 64 kandidatë.

Kryeministri Albin Kurti, në fjalimin e tij paralajmëroi se së shpejti do të hapet konkursi për katër anëtarët e tjerë të këtij bordi.

Kurti, propozoi që Mentor Berisha të jetë kryesues, Falil Bejta anëtar, Merita Gashi anëtare, Sadie Gashi anëtare, Alban Krasniqi anëtar, ky propozim u miratua nga kabineti qeveritar.

Ndërsa mandati i tyre do të zgjatë katër vite.

Më 5 nëntor, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të ndërmarrjes “Trepça” kishte njoftuar se në mbledhjen e jashtëzakonshme të së dielës, ku është diskutuar për situatën e krijuar pas grevës 10 ditore të minatorëve, kishte marrë vendim për hapjen e konkursit për kryeshef të kombinatit metalurgjik duke marrë parasysh se kjo pozitë ka qenë me ushtrues detyre për një periudhë pothuajse 2 vjeçare.

Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça” kishin hyrë në grevë më 24 tetor në kërkim të kushteve më të mira të punës, shkarkimin e menaxhmentit dhe ekzekutimin e pagave të tyre me kohë.

Ndërsa kishin ndërprerë grevën 10 ditore pas arritjes së marrëveshjes me disa nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) mbi kushtet e tyre në orët e hershme të së premtes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore