Kosova

Ekipet e mbrojtjes së ish krerëve të UÇK-së, kërkojnë pezullimin e afateve gjatë pushimit dimëror të gjykatës


Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ekipet e mbrojtjes, në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, janë duke u akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kanë kërkuar nga gjykata që të pezullohen afatet gjatë kohës kur gjykata do të jetë në pushim dimëror.

Kjo është bërë e ditur përmes shkresës së mbrojtjes së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

“Mbrojtja thekson se parashtresat me shkrim në këtë rast janë veçanërisht të rënda duke pasur parasysh transferimin e afërt të dosjes te trupi gjykues, pritet që palëve t’u kërkohet të adresojnë një numër të konsiderueshëm dosjesh, duke përfshirë ato në lidhje me menaxhimin e gjykimit, pranueshmërinë dhe riorganizimin, gjë që nga ana tjetër imponon barrë të konsiderueshme për të gjitha palët pasi ato përgatiten për gjykim”.

“Një pezullim i afateve gjatë pushimeve dimërore do të ndihmonte në lehtësimin e këtyre përgatitjeve”, thuhet në këtë parashtresë të mbrojtjes”, thuhet në shkresën e ZPS-së.

Më 30 shtator, ZPS-ja ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

Gjykata Speciale.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore