Lajme

Editorial nga Albanian Post: Cilat janë pasojat e pranimit dhe mos-pranimit të Propozimit Evropian – çka thotë dokumenti i fundit


Foto nga Albanian Post

Nga 18 shtatori kur Albanian Post publikoi dokumentin e parë për atë që atëherë quhej “korniza e re” e bisedimeve që më pas u mvesh me mbiemra të ndryshëm siç ishte ai “Propozimi Franko-gjerman”, deri në birësimin përfundimtar zyrtar që ia bëri Bashkimi Evropian si “Propozimi Evropian”, qytetarët në Kosovë nuk kanë pasur të tjera pika reference për të kuptuar se çfarë po ndodhë në Bruksel, përveç raportimeve mediatike.

Strukur nën arsyetimin se “bisedimet kërkojnë konfidencialitet” Qeveria e Kosovës nuk ka shpjeguar, aq më pak sqaruar, asnjëherë se me çfarë po përballen në bisedimet e Brukselit, cilat janë alternativat e tyre dhe si po ballafaqohen kërkesa me ofertën në tavolinën e bisedimeve që pritet të servojë projeksionin për të ardhmen e shtetit.

Si detyrim esencial profesional Albanian Post është përpjekur që përgjatë këtyre muajve të fundit të plotësojë vakumin informativ nga mungesa e deklarimeve zyrtare me informacione të cilat – e pritshme – shumicën e rasteve kanë zhvilluar betejë me të vërteta alternative që përmes strukturës para-politike partia në pushtet i prodhon.

Dokumenti i fundit i publikuar nga Albanian Post, që është një non-paper, përkundër se me gjuhë fare të drejtpërdrejtë dhe koncize, e ka të nevojshëm një zbërthim të shkurtër.

Dokumenti është i shkruar me asi lloj toni që nënkuptohet se shkruesi/it nuk janë shumë optimistë që do nënshkruhet. Prandaj, pjesa më e madhe e tekstit është për pasojat e mos-vënjës së një nënshkrimi, sesa benefitet e nënshkrimit.

Për shkak të specifikave të ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe pjesëmarrjes së përhershme në këtë shtet-ndërtim të ndërkombëtarëve, mundësia për afektim më të madh nga një përfundim i bisedimeve pa rezultat pozitiv është për Kosovën.

Në këtë dokument është hera e parë që përmenden procese riverse, prapakthyese, ndryshe nga herë të tjera kur është folur kryesisht për çfarë humbet dhe jo çfarë do merret nga ajo që është fituar.

Në tekst thuhet se Kosova duhet të përgatitet për zhbërje të të gjitha të arriturave të mëhershme, siç janë lëvizja e lirë, Kodi telefonik i Kosovës +383, integrimi i pjesës veriore (përmes integrimit të strukturave paralele), kontrolli e dy pikave kufitare me Serbinë e të tjera.

Dokumenti gjithashtu përmend bllokimin e proceseve integruese për Kosovën.

Kosova humbë shumëçka nga ato që ka fituar dhe gjithçka nga ato që pritej të fitonte.

Skenari i tillë i errët që kthen prapa krijon përshtypjen e një rikonceptimi të shtetit që ende vuan nga brishtësia me sovranitetin e brendshëm në luhatje për shkak të problemave në kontrollin e gjithë territorit dhe mungesës së subjektivitetit nga jashtë për shkak të stagnimit në njohje të reja dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Një nga paragrafët që gjithashtu kërkon vëmendje shtesë është një tërheqje e vërejtjes kur thuhet se “Kosova nuk mund të vazhdojë ta gëzojë mbrojtjen absolute nga bota perëndimore, që është jetike për ekzistencën e vet dhe në të njëjtën kohë të hezitojë në përqafimin e përpjekjeve perëndimore për paqe të përhershme”. Çfarë është kjo? Paralajmërim?

Problemi është se Kosova nuk fiton shumë as me nënshkrimin e Marrëveshjes mbështetur në Propozimin Evropian.

Fitore konkrete, sipas neneve të marrëveshjes tashmë të rrjedhura në publik, janë dy: Së pari, Serbia nënshkruan një dokument ku e pranon se Kosova është një realitet i ri legal dhe politik dhe së dyti, zotohet se nuk do ta prezantojë vetën në asnjë rrethanë në emër të Kosovës.

Fitoret tjera janë më shumë projeksione pozitive për të ardhmen dhe një premtim abstrakt se pas 10 vjetësh synohet marrëveshje për njohje të ndërsjellë.

Formulimi i përgjithësuar në dokumentin që ka publikuar Albanian Post në sektorin kur flitet për të ardhmen e Kosovës është vetë-shpjegues.

Kosova zhbllokon procesin e integrimit në NATO/BE dhe fillon marrjen e fondeve dhe investimeve të lidhura me procesin e integrimit. Fiton ndërlidhshmëri rajonale dhe përfshirje në të gjitha programet e BE-së që do ta afektojnë ekonominë e Kosovës në mënyrë domethënëse. Do shfaqen mundësi të reja për bizneset e Kosovës dhe të rinjtë e Kosovës, duke zhvilluar potencialin e mrekullueshëm që ka Kosova”.

Pra, asgjë konkrete.

Plus, problemi më i madh, Kosova angazhohet në themelimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe që për qëllim ka krijimin e një mekanizimi politik dhe administrativ ku serbët e Kosovës vetëqeverisen.

Ngushëllimi këtu është se do kopjohen praktikat më të mira evropiane, por siç është krejtësisht e njohur, importimi i modeleve të tilla nuk nënkupton edhe sukses automatik, sepse përndryshe demokracia liberale do të funksiononte në mënyrë identike në të gjitha vendet që aplikohet.

Rrethanat e brendshme dhe specifikat e rastit konkret bashkuar me vullnetin e caktuar të komunitetit që do ta gëzojë Asociacionin janë determinuesit kryesorë të kahjes që merr organizmi i ri.

Dhënia e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në këmbim të premtimeve me skenarë abstraktë optimistë është shkëmbim vështirë i pranueshëm për këdo në Kosovë.

Aq më tepër, kur Kosovës nuk i garantohet – madje as s’i premtohet konkretisht – njohja e pavarësisë nga 5 shtetet brenda BE-së që akoma nuk e kanë njohur.

Por, pyetja më e rëndësishme sot është: Përse Kosova gjendet në një situatë të tillë kur edhe të nënshkruajë edhe të mos nënshkruajë përbën problem?

Kasta e sotme politike, veçanërisht udhëheqësi i saj Albin Kurti, është fajtor akoma para se të marrë vendim për hedhje të firmës. Ai, me mungesë totale të alternativës që i bën opozitë këtij versioni aktual, e ka lënë Kosovën në një situatë ku nuk ka shteg fitues.

Maksimalist në ligjërime, minimalist në veprime dhe i koncentruar krejtësisht në luftë të brendshme politike duke operuar me kalkulim elektoral pothuajse në çdo hap, për dy vjet rresht bisedime në Bruksel, nuk ka arritur të artikulojë para ndërkombëtarëve në asnjë moment interesin e Kosovës në dialog.

Në Kosovë dimë për propozimin evropian, por nuk dimë asgjë për kundër-propozimin kosovar. Çfarë ka bërë qeveria e Kosovës në këto dy vjet dialog? Përse qeveria nuk ka arritur të prezantojë interesat e Kosovës në atë formë që hartimi i një propozim-marrëveshje nga ndërkombëtarët të jetë në një linjë me synimet e Kosovës? Përse kemi një marrëveshje kaq problematike për Kosovën? Si është e mundur që humbet beteja me një lider si Aleksandër Vuçiç i cili dikur ka qenë person non-grata nga Bashkimi Evropian, e i cili nuk i vë sanksione Rusisë, rritë aktivitetin ekonomik me Kinën dhe nuk përfillë direktivat evropiane?

Një shumë e madhe parash shpenzohet për ekipin negociator të udhëhequr nga zëvendës-kryeministri, Besnik Bislimi. Qindra-mijëra euro paguhen disa njerëz për të prodhuar më në fund një marrëveshje që nuk i pëlqen askujt, as atyre vetë.

Duhet të bëhet krejtësisht e qartë, Marrëveshja Bazë është një propozim evropian, por ajo është e hartuar dhe dizajnuar pas bisedimeve të evropianëve me palët, Kosovën dhe Serbinë.

Evropianëve u duhet stabilitet në Ballkan, por atyre nuk u duhet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në vetvete. Përse ndërkombëtarët, pas bisedimeve me Kurtin dhe ekipin e tij dhe me Vuçiç-in dhe ekipin e tij, kanë ardhur në përfundim se Asociacioni është zgjidhja më e mirë? Përse i ka bindur pala serbe ndërkombëtaret dhe jo pala kosovare?

Nga marrëveshjet paraprake ka edhe të tjera që nuk implementohen nga Serbia, përse diskursi dominues perëndimor nuk është i ndërtuar në kërkim të këtyre marrëveshjeve, por kërkohet Zajednica? Përse qytetarët më pro-perëndimorë në Ballkan marrin një marrëveshje problematike, derisa qytetarët më pro-rusë në Ballkan marrin një marrëveshje që edhe po s’e nënshkruan nuk është se humbin gjë nga substanca e shtetësisë?

Këto janë të gjitha pyetje që kërkojnë përgjigje nga dikush në Kosovë dhe gjuha e përgjigjeve duhet të jetë shqip, jo anglisht.

Albin Kurti është treguar negociator i dobët jashtë dhe qeveritar shumë i dobët brenda. Ai ka zbuluar kartat krejtësisht kur nuk arriti dot të largojë kamionë nga rruga, la policët në kontejnerë në kufi pa mundësi kthimi dhe nuk arriti t’u dërgojë as ushqim, duke shkatërruar edhe projeksionin e fuqisë të krijuar për disa vite rresht që shteti është më i fortë se bandat.

Njeriu që kërkonte të mos nënshkruhej Marrëveshja e Rambujes sepse Kosova ka kapacitetin për t’u çliruar vetë e ktheu në lutje të përditshme intervenimin e KFOR-it për të larguar disa kamionë nga rruga që bllokonin policinë e shtetit.

Me pafuqinë e tij ekspozojë pafuqinë e shtetit dhe tani në mungesë guximi refuzoi të ballafaqoi argumentet në Ambasadën Amerikane duke dërguar persona si Emilja Rexhepi e Nenad Rashiq në mbledhjen e 31 janarit, që në një moment të dytë t’i fajësojë për tradhti shtetërore.

Miroslav Lajçakut i kërkon llogari burokracia evropiane.

Gabriel Escobarit i kërkon llogari komisioni i jashtë në kongresin amerikan dhe Departamenti i Shtetit.

Albin Kurtit duhet t’i kërkojë llogari dikush se s’bën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore