Kosova

Edhe dy muaj paraburgim ndaj Dibran Hoxhës


Dibran Hoxha gjatë arrestimit nga Policia e Kosovës

Gjykata Themelore në Prishtinë, ia ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj Dibran Hoxhës i njohur si “Kobra” dhe të pandehurit tjetër R.S.

Kurse tre të tjerëve, Arben Vezaj, Jesmir Bqadalli dhe Burim Mazrekut ua ka zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak dhe paraqitje në stacion policor.

Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarja ligjore e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Medina Gashi.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me aktvendimin PPPS.nr.7/23 të datës 29.06.2023 ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit  D.H, të njëjtit kjo masë i është vazhduar deri me datë 03.09.2023, dhe ndaj të pandehurit  R.S, ashtu që të njëjtit kjo masë i është vazhduar deri me datë 06.09.2023”, tha Gashi për “Betimin për Drejtësi”.

Tutje ajo ka bërë të ditur se për të pandehurit Arben Vezaj dhe Jesmir Badalli, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak.

Ndërsa, për të pandehurin Burim Mazreku masa e paraburgimit është zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacionin policor.

Gjykata Themelore në Prizren, kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për gjashtë personat e dyshuar për vrasje të rëndë në Prizren më 3 janar.

Pronari i lokalit “Kobra City”, Dibran Hoxha, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e 31- vjeçarit nga Kukësi i Shqipërisë, është emër i njohur për organet e drejtësisë në Kosovë.

Hoxha, ka qenë i dënuar 16 herë, ai është i njohur me pseudonimin “Kobra”.

Madje, nga Gjykata Themelore në Prizren, kanë bërë të ditur se i njëjti ka ende aktive një lëndë, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 153, par. 2 të Kodit Penal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore