E ‘braktis’ Bashën edhe Kreshnik Çollaku: Do vijoj të qëndroj në PD

SHFLETO
Vitjon Nina
15.06.2024 11:28
Loading Icons...

Kreshnik Çollaku nuk do të jetë më pjesë e lëvizjes së Lulzim Bashës, pas kalimit të vulës së Partisë Demokratike te grupimi i Sali Berishës, me vendim të Gjykatës së Apelit.

Përmes një publikimi një media sociale, Çollaku shkruan se ai gjithnjë ka kërkuar bashkimin e demokratëve dhe jo përçarjen mes tyre.

Sipas reflektimit që ka bërë në deklaratën e tij, Çollaku po ashtu shkruan se do të kërkojë të nxisë një dialog me çdo palë, për të ardhmen e PD-së dhe opozitës në Shqipëri.

Dy ditë më parë, ishte Eralda Bano, ajo e cila bëri me dije se nuk do të jetë më pjesë e grupimit të Lulzim Bashës brenda Partisë Demokratike, por do të kalojë me shumicën, e cila tashmë është edhe palë zyrtare.

Bashës i largohet deputetja e parë, pas humbjes së vulës

Kështu ka deklaruar vetë deputetja e djathtë, pas vendimit të marrë nga Gjykata e Apelit, e cila vulën e forcës së djathtë politike ia ka lënë Sali Berishës dhe grupacionit të tij.

Në një deklaratë të gjatë për ndjekësit, Bano shpjegon edhe arsyet e kalimit të saj nga grupi i Bashës, drejt atij të Berishës.

Reagimi i Banos

Të dashur qytetarë,

Lufta me veten është lufta më e vështirë dhe forma më sublime e rimëkëmbjes, luftë e cila është e domosdoshme dhe jetike. Kjo luftë do duhet të na forcojë e të na kthejë në modelin më të mirë të vetes.
Demokratë të nderuar,

Dëshiroj të shpreh përulësisht një mirënjohje të thellë për këdo që më ka mbështetur në këto vite!

Jam mirënjohëse ndaj miqve, kolegëve, simpatizantëve të mi dhe kujtdo që ka marrë guximin të më kritikojë. Jam e bindur që në ditë të vështira nevoja për të reflektuar mbi të ardhmen prevalon mbi çdo ideologji, bindje apo mendim.

Jam e vetëdijshme se rruga më e mirë për të rikthyer shpresën në çdo vatër shqiptare është që të kemi një opozitë të formuar, të papërçarë dhe të pathyeshme, sikundër jam e bindur që debati i brendshëm duhet të vazhdojë për të mirën e të gjithëve.

Vendimi im politik është i thjeshtë. Unë jam, dhe do të mbetem deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë.