Sport

E ardhmja e Lewis Hamilton në Formula 1 e paqartë


Gjithçka është e paqartë mbi të ardhmen e Lewis Hamilton në Formula 1.

Fundi i dyshimtë i sezonit që lamë prapa, ku Hamilton e humbi titullin në xhiron e fundit, ka ngritur shumë pikëpyetje mbi të ardhmen e shtatë herë kampionit në F1.

Edhe pse ai është vetëm një titull larg rekordit, dhe ka një makinë serioze në Mercedes, ai nuk duket se do të garojë përsëri në Formula 1.

Kështu raportohet në të gjitha mediat të lidhura me sportin më të shpejtë në botë.

Sipas tyre, dyshimet janë shumë të mëdha te britaniku, dhe momentalisht ai duket më shumë larg F1 se sa afër saj.

Pyetja më e madhë që bëhet në këtë rast, është se kush do të jetë zëvendësuesi i tij, nëse ai vendosë të largohet nga Formula 1.

Dhe si duket, Mercedes tashmë e ka të gatshme listën, e cila përbehet nga pesë pilotë:

I pari është Nick De Vryes, kampioni i Formula 2 në vitin 2019 dhe Formula E në vitin 2021.

I dyti është Valteri Bottas, edhe pse u largua nga Mercedes këtë vit, mundësitë janë shumë të mëdha që ai mund të kthehet nëse Hamilton largohet, duke u shndërruar në pilotin më të rëndësishëm të skuadrës.

Esteban Ocon, pilot i Alpine F1 është ndoshta edhe zgjidhja më e mundshme nga pesë emrat e listës. Ocon ka qenë pilotë rezervë i Mercedes për një vit dhe e njeh shumë mirë ambientin, një largim i Hamilton me shumë mundësi do i dhuronte atij ulësen e Mercedes.

Dy emrat e fundit janë Pierre Gasly dhe Fernando Alonso, dy pilotë shumë kualitativ në mesin e pilotëve të F1.

Mirëpo, problemi i këtyre dy emrave është fakti se të dy dëshirojnë që të jenë piloti numri 1 në skuadër, dhe Mercedes, në rast të largimit të Hamilton, synon që këtë status t’ia lë George Russell.

Formula 1 ka një dilemë të madhe – Hamilton apo jo për vitin 2022. Momentalisht, duket se duhet të presim deri në gjysmën e shkurtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore