Libra

“Dy armiq të filozofisë”


Ajo që është goditëse qysh në faqet e para të veprave të filozofit gjerman, Arthur Schopenhauer, është stili i tij.

Stili i tij nuk është i stërhollë si i Immanuel Kantit, e as i stërlodhshëm si i Hegelit, e as stër-gjeometrik si i Spinozës.

Aty ku bashkëkohësit e tij krijojnë rrjeta të padukshme dhe të lodhshme metafizike me asnjë fije ilustrimi në praktikë, Schopenhauer të gjithë teorinë e tij e kristalizon në realitetin konkret dhe të përditshëm.

Por veprës së tij iu desh kohë e gjatë të pranohej si vepër filozofike. Por pse?

Një arsye e konsiderueshme e injorimit të tij nga bota akademike vie nga fakti se ai në veprën e tij sulmoi pikërisht njerëz që mund ti kishin dhënë publicitet. Sulmi që ai i bënte në veprat e tij Hegelit, që në atë kohë gati se e kishte monopolizuar botën e filozofisë, ishte një nga këto arsye e shpërfilljes së tij.

Një shembull konkret është parathënja e botimit të dytë të veprës së tij më të madhe Bota si Vullnet dhe Përfytyrim, ku e sulmon Hegelin.

“Nuk ka kohë më të pafavorshme për filozofinë se sa këto kohë ku pa pikë turpi ajo keqpërdoret për të shtyer para objektiva politikë, dhe në anën tjetër të përdoret për të siguruar jetesën. A s’ka asgjë për të kundërshtuar maksimëm e vjetër Primum vivere, deine philosophari? Këta zotërinj dëshirojnë të jetojnë, dhe të jetojnë në kurriz të filozofisë. Filozofisë ata i kanë hypur në shpinë me gratë e fëmijtë e tyre. Rregulli i vjetër ‘unë e këndoj këngën e atij që më jep bukën’ është pikërisht kjo”.

“Është e pamundur që një epokë që i duartroket Hegelit – ky intelektual kaliban – si filozofi më i madh, të më bëjë mua t’ia dëshirojë mirënjohjen dhe pranimit e saj. Por e vërteta ka qenë dhe është gjithmonë paucorum hominum, dhe duhet me durim të madh t’i presë ata të rrallët që me mendimin e tyre ndryshe e kuptojnë. Jeta është e shkurtë, por e vërteta punon larg dhe jeton gjatë. Pra, ejani të thomë të vërtetën”.

Schopenhauer e konsideronte sharllatan të çmendur Hegelin, dhe të gjithë bujën që ishte bërë me admirimin ndaj tij. Filozofinë e tij e shihte si një sëmundje të filozofisë, dhe ndjekësve të tij thoshte se u duhte medicina mentis (ilaq për mendje).

Ai edhe më tutje vazhdoi sulmin ndaj Hegelit duke e quajtur kokëthatë, sharllatan, analfabet,.

“Hegeli i instaluar nga lartë prej pushtetit, dhe i çertifikuar si Filozofi i Madh, është truthatë, i pashije, i neveritshëm, sharllatan e analfabet, i cili kulmin e guximit në filozofi e ka shkarravitjen e pakuptimë të koncepteve, dhe dokrrave të çmendura të mistifikuara. Ky nonsens është deklaruar urti e pavdekshme nga ndjekës mercenarë dhe pranuar nga budallenjtë, dhe i janë bashkuar një kori të shurdhër për të cilën s’është dëgjuar asnjëherë.”

“Kjo fushë e zgjeruar e ndikimit shpirtëror të cilën e ka ushqyer pushteti për Hegelin, e ka mundësuar atë konkretizojë korrupsionin intelektual të një gjenerate të tërë”.

Ai e shihte se qëllimi i Hegelit ishte një operim i pakuptimë me kontradiktat më të mëdha logjike, duke e shkatërruar argumentimin racional njëherë e përgjithmonë. Dhe ai e shihte se me këtë gjë, duke mos qenë i aftë për mendim shkencor, donte ta deklaronte atë të padobishëm.

“Duke e bërë argumentin dhe kritikën të pamundur, ai ka për qëllim që filozofinë e tij ta bëjë një filozofi që dëshmon triumfin mbi kritikat, që të themelojë veten si si dogmatizëm i rifuqizuar, të sigurtë ndaj të gjitha sulmeve, si arritja përfundimate në zhvillimin e filozofisë”.

Asgjë, thoshte filozofi i madh gjerman Nietzsche, nuk i ofendonte akademikët gjermanë më shumë se sa pangjashmëria e Schopenahuerit me ta, dhe refuzimi i tij për t’u ngjarë atyre.

Ai vetëm për një kohë të shkurtër u bë pjesë e jetës akademike në Universitetin e Berlinit, dhe u dorëhoq. Dhe jetoi i vetmuar deri në fund të jetës duke shkruar filozofi “jashtë mureve akademike, aty ku bëhen arritjet në filozofi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore