Kosova

Dushan Janjiç për Albanian Post: Kosova ta shtyjë vendimin për targat, por të marrë garanci të shëndoshë


Ilustrim

Ndërsa jemi në vigjilje të implementimit të fazës së dytë të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, Bashkimi Evropian ka ftuar në takim kryeministrin, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Për kryetarin e Forumit për Marrëdhënie Etnike nga Beogradi, Dushan Janjiç, takimi i nivelit të lartë ndërmjet dy liderëve në Bruksel do të fokusohet në çështjen e targave dhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, e assesi në marrëveshjen finale.

“Kur në tavolinën e bisedimeve kemi një çështje si targat nuk mund të themi se jemi afër marrëveshjes finale ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Janjiç për Albanain Post.

Sipas tij në këtë fazë shtyrja e vendimit për targat nga ana e Qeverisë së Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë.

“Por, kjo shtyrje duhet të jetë e shoqëruar me një garanci të shëndoshë. Kur po flas për garancitë, nuk po them se Kurti e Vuçiç apo Kosova dhe Serbia duhet të japin garanci, por po flas për garancitë që duhet të jap Bashkimi Evropian, ata duhet të marrin përgjegjësi si ndërmjetësues”, ka shtuar ai.

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, përveç çështjes së targave, sipas Janjiç, duhet ta zgjidhin edhe problemin e kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës.

“Situata e sigurisë në Veriun e Kosovës është në një fazë kritike pasi serbët po bojkotojnë institucionet. Dhe prandaj kjo çështje duhet të diskutohet dhe minimalisht të arrihet një marrëveshje se si mund të parandalohet destablizimi i mëtejmë i situatës në këtë pjesë të Kosovës dhe normalisht t’u mundësohet kthimi i serbëve në institucionet kosovare”, ka shtuar ai për AP.

Megjithatë Janjiç nuk është optimist se dy këto çështje, të cilat sipas tij po rëndojnë situatën e sigurisë në Kosovë, por jo vetëm, do të zgjidhen.

“Jam pesimist të them të drejtën, kjo për shkak të qasjes së Bashkimit Evropian në këtë çështje, ata nuk shkojnë për të zgjidhur problemet, ata janë aty vetëm për t’i menaxhuar problemet dhe një gjë e tillë u tha zyrtarisht edhe nga Borrell”.

BE-ja në këtë fazë, sipas Janjiç, duhet t’i bind palët që të diskutojnë me ditë të tëra e të gjejnë një sens të përbashkëta dhe të zgjidhin dy këto probleme.

“Nëse një gjë e tillë nuk arrihet nuk ka shans të hapet faza për të diskutuar marrëveshjen përfundimtare dhe propozimin franko-gjerman. Minimumi që dyja palët duhet të arrijnë në këtë fazë është të pajtohen të ndalojnë politikën e reciprocitetit. Serbia duhet të bëjë thirrje që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës. Kosova duhet ta shtyjë vendimin për targat, BE-ja nuk duhet të bëj vetëm thirrje boshe, ata duhet të marrin përgjegjësi”, ka argumentuar ai.

Ilustrim: Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç

Se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksnadër Vuçiç, janë ftuar në Bruksel për të diskutuar çështjen e targave, e jo për marrëveshjen finale e propozimin franko-gjerman e thotë edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.

Sipas Arifit vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat e ka devijuar totalisht esencën dhe qëllimin e dialogut.

“Pra dialogu është shndërruar në një dialog teknik dhe atë me Serbinë për punë të brendshme të Kosovës, kjo është një anomali dhe një amatorizëm i skajshëm i Qeverisë së Kosovës. Në vend se ky problem të zgjidhet me 1 nëntor, tash kemi kthim prapa dhe kemi një pranim të fuqisë së Serbisë në Veri të Kosovës përmes vendimeve të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Arifi për Albanian Post.

“Vendimi për targat e ka zbehur totalisht rëndësinë e Qeverisë së Kosovës në Veri të vendit, pra tash askush nuk e merr përgjegjësinë për makinat që janë djegur, për torturat që po u bëhen qytetarëve serb nga bandat e ndryshme, në një farë mënyre qeveria me vetëdije apo vetëdije ka hequr dorë nga administrimi i asaj pjese të Kosovës”, ka shtuar ai.

Shtyrja e fazës së dytë të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, pra mos-gjobitja e qytetarëve serbë të cilët nuk kanë konvertuar targat e tyre ilegale në ato RKS, kthimi i serbëve të Kosovës në institucionet dhe fokusimi në dialogun për të normalizuar raportet.

Këto ishin tri kërkesat eksplicite të Derek Chollet, këshilltarit special të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, gjatë një bisede telefonike në vigjiljen e 21 nëntorit, ditën kur edhe fillon implementimi i fazës së dytë të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat – gjobitja.

Edhe pse jo aq i drejtpërdrejtë sa Chollet, të njëjtat thirrje i ka bërë edhe Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.

Top diplomati amerikan, në një intervistë për agjencinë e lajmeve serbe ishte shprehur optimist se Kosovës dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim, për të ulur tensionet në Veri të Kosovës.

Bashkimi Evropian, të premten ka bërë të ditur se ka dërguar ftesa dy liderëve shtetërorë të Kosovës dhe Serbisë, për një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut.

BE-ja ndonëse nuk ka specifikuar një datë të saktë të takimit, media e afërt me pushtetin serb “Novosti”, duke u thirrur në burime brenda presidencës serbe, kishte thënë se raundi i ri i bisedimeve në Bruksel mund të mbahet të dielën në mbrëma ose në mëngjesin e ditës së hënë të 21 nëntorit.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj të shkallëzuar për konvertimin e makinave me targa të paligjshme serbe në ato RKS.

Gjendja u përkeqësua kur Lista Serbe vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori, Policia, Dogana.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, theksoi Rakiç pas takimit.

Qeveria mund ta mbyllë çështjen e Asociacionit një herë e mirë, ia mundësojnë parimet universale dhe ligji – përse nuk po e bën?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore