Stil

Dua Lipa viziton Shqipërinë, e quan “shtëpinë e saj”


Artistja me origjinë nga Kosova dhe me reputacion ndërkombëtar, Dua Lipa, tash e sa kohë, e ka dëshmuar se sa shumë e lidhur është me origjinën e saj, posaçërisht me Shqipërinë.

Kësisoj, pos deklaratave të shumta që nga mediume të ndryshme janë cilësuar si “nacionaliste”, ylli i hitit “Levitating” gjen kohë të bëjë edhe vizita në Shqipëri, gjatë muajve të nxehtë të verës.

Dua, njëjtë duket të ketë vepruar edhe së fundmi, e cila përmes disa fotografive të ndarë me më shumë se 88 milionë ndjekësit e saj në Instagram, ka treguar se po e shijon bregdetin shqiptar.

Fotografi e publikuar nga Dua Lipa në Instagram.

“Në shtëpi”, ka qenë përshkrimi që Lipa ka zgjedhur për imazhet në fjalë.

Kujtojmë, se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i kishte dhënë shtetësinë shqiptare Dua Lipa, vetëm një ditë përpara 110-vjetorit të Pavarësisë dhe koncertit të saj, i cili ishte mbajtur në Tiranë.

Kreu i Shtetit, e kishte pritur artisten shqiptare, së bashku me familjen e saj, për ta nderuar për kontributin që ajo ka dhënë si ambasadore botërore e vendit, përmes artit të saj.

Dua Lipa dhe Bajram Begaj.

“Është kënaqësi e veçantë që sot presim artisten e madhe Dua Lipa. Them artiste e madhe, por ajo është edhe një vajzë e thjeshtë, që krenarinë më të madhe na e ka dhënë ne, Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë”,  pati përmendur Begaj në fjalën e tij, gjatë ceremonisë.

Po ashtu, ai i bëri me dije muzikantes se rinia shqiptare e ka shembull atë dhe se vetë puna e saj, është tregues se ëndrrat mund të arrihen.

“Ti i ke bërë të gjithë shqiptarët bashkë! Ndaj kam kënaqësinë t’ju jap shtetësinë shqiptare”, spati shtuar Presidenti i Republikës.

Një yll i muzikës botërore tashmë, Dua Lipa lindi në Londër në 22 gusht 1995 në një familje shqiptare nga Kosova. Ajo u shkollua mes Londrës dhe Prishtinës, ku familja e saj u vendos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Talenti i lindur dhe përkushtimi për botën e muzikës dhe artit e ndihmoi të ngjiste me guxim dhe vendosmëri shkallët e karrierës artistike që në moshë të re.

Tashmë ajo numëron shumë çmime e vlerësime për kontributin e saj në muzikë dhe art, përfshi këtu edhe tre çmime Grammy.

Ndjeshmëria e saj për çështjet sociale në vende të ndryshme të botës e ka angazhuar Dua Lipën pranë UNICEF-it, në mbështetje të fushatave për të drejtat e fëmijëve.

Pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri, Lipa u kërkoi adhuruesve të saj mbështetje dhe donacione si dhe organizoi një fushatë të mbledhjeve të fondeve bashkë me stilistë shqiptarë, të ardhurat e të cilës shkuan për familjet e viktimave të tërmetit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore