“Dritan Rexhepi, gjeniu i mafies shqiptare”

SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
12.01.2022 21:14
Loading Icons...

Rrjeti i Projekteve Investigative në Itali (IRPI) i ka kushtuar një artikull fuqizimit të mafies shqiptare nëpër botë.

Me anë të një rrëfimi të detajuar IRPI-ja përshkruan mënyrën se si “shqiptarët u rritën”.

Rrëfimi nis pikërisht me një krahasim.

“Në rrugicat e Amsterdamit dhe Brukselit gjen pa frikë trafikantë nga të gjitha kombësitë. Kjo pasi këto dy kryeqytete evropiane kanë më afër portet e Roterdamit dhe Antwerp-it, dyert për drogën që mbërrin në kontinent”, shkruhet në artikull.

Megjithatë, për çudi, duket se shqiptarët janë zhdukur nga këto rrugë.

Për IRPI-në, ky është një sinjal i qartë: Klanet mafioze nga Shqipëria janë rritur e fuqizuar.

Shqiptarët e nisën rrugëtimin e tyre si shoferë të trafikantëve italianë, më pas si punëtorë në portet e Amsterdamit dhe Roterdamit për të tërhequr ngarkesat e ardhura dhe të tjerët transportonin kokainë nëpër Evropë.

Gjërat ndryshuan dhe ata kuptuan se mund të mbulonin vetë të gjithë zinxhirin e furnizimit, duke u akredituar drejtpërdrejt me furnitorët e Amerikës së Jugut.

“Brenda pak vitesh ata kanë arritur të krijojnë një sistem, që mund ta kenë zili edhe ‘legjendarët e fushës’”, shkruhet në artikull.

Udhëtim për në Zvicër

Në periferi të Firenze-s, një makinë e vogël ndalohet nga një patrullë policie.

Ajo drejtohej nga një burrë rreth të 50-tave, dhe në sediljen e pasagjerit qëndronte një grua e moshuar.

Policia e dinte se ky çift ishte i çuditshëm dhe fshihte diçka.

Ai udhëtim për në Zvicër, më 18 maj të 2015-ën, nuk kishte synimin e pushimeve.

Në fund të fundit, le të thuhet, “agjentët gjejnë atë që kërkojnë”.

Mjaftoi një shikim i shpejtë dhe në makinë u gjetën 9 kilogramë heroinë e fshehur në thasë.

Menjëherë pas kësaj, policia, ndaloi një tjetër makinë.

E aty, gjendeshin, dy trafikantë shqiptarë, për llogari të së cilëve, dy korrierët italianë po transportonin heroinë.

Italianët ishin nga qyteti i Firenze-s, dhe për 2 mijë e 500 euro secili, disa muaj më parë kishin sjellë 1 kilogram kokainë nga qyteti gjerman i Düsseldorf-it në Firenze.

Punëdhënësi i tyre ishte trafikanti shqiptar Florenc Ceni.

Diçka i habiti korrierët. Diçka e pazakontë.

Përveç personave që ato zgjidhnin dhe përsëritjes së krimit, vëmendjen e hetuesve e tërhoqi lehtësia e klaneve shqiptare për të lëvizur sasi të mëdha droge.

Kjo mendohet se bëhej, falë kontakteve të drejtpërdrejta me bashkatdhetarët në Holandë dhe Belgjikë.

Megjithatë, ata kurrë nuk do ta kishin imagjinuar se ishin pranë shkatërrimit të grupit kriminal më të madh shqiptar, të padëgjuar më parë, atë të kompanisë “Bello”.

Shkëlqimi dhe rënia e kompanisë Bello

Prej vitesh, “Bello” furnizonte Evropën me tonelata kokainë.

Lehtësisht mund të krahasohet me një oktapod – që kishte 14 tentakula.

Të paktën aq sa janë bërë publike.

Ajo ra pre e hetimeve në shtator të 2020-ës në mega-operacionin “Los Blancos”, i cili dha 30 urdhra paraburgimi dhe arrestoi 84 trafikantë.

Klanet shqiptare menaxhonin në mënyrë të pavarur shpërndarjen me pakicë.

Por, ato, ishin gjithashtu të afta të furnizonin grupe te tjera autonome si klanet mafioze të “Madonnella di Bari”, të cilët blinin ekskluzivisht nga grupi shqiptar “Memia”, që i përkiste rrjetit “Bello”.

Në krye të të gjithë kësaj Mbretërie ishte shqiptari i njohur nga gjysma e prokurorëve të Evropës. I shfaqur në media për herë të parë në 2011, kur u arratis nga burgu i Voghera-s.

Trafikanti i drogës, Dritan Rexhepi, i ndaluar në Ekuador që prej 2014-ës.

Rexhepi – gjeniu i krimit

Ai e nisi “karrierën e tij” si një vrasës me pagesë.

Në vitin 2013, kur ishte tashmë i arratisur, u dënua për dy vrasje të kryera në Shqipëri në vitin 1998.

Asokohe ishte vetëm 18 vjeç.

I regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë, Rexhepi u largua nga vendi menjëherë pas moshës 20-vjeçare për t’u fshehur.

U arrestua në vitin 2008 nga një Gjykatë italiane për trafik kokaine.

Pas tre vitesh ai u arratis. Në vitet në vijim – deri në arrestimin e tij në 2014, në një operacion që sekuestroi 278 kilogramë kokainë – Rexhepi krijoi një marrëdhënie të qëndrueshme me rrjetet kriminalë.

Në foto, Dritan Rexhepi

Duke hedhur kështu edhe themelet për menaxhimin e kompanisë “Bello”.

Ai i drejtonte operacionet nga pas hekurave. Kjo falë korrupsionit në ambientet e burgut.

Nga blerja e sasive gjigande të lëndëve narkotike në Amerikën e Jugut e deri te transporti detar me zbarkim në portet holandeze të Roterdam-it dhe Antwerp, Rexhepi kishte fuqi të jashtëzakonshme.

Si realizohej tregtia?

Në Amerikën e Jugut ai e blinte kokainën e pastër për 4 mijë e 400 dollarë kilogrami.

Por sapo ajo zbarkonte në portet evropiane, vlera tjetërsohej.

Tashmë “pluhuri i bardhë” kushtonte mbi 20 mijë dollarë për kilogram.

Furnizuesit në Amerikën Latine u kthyen në ithtarë të Rexhepit, pasi ata kishin një besim të jashtëzakonshëm te ai.

Aq sa ata adoptuan sistemin e transportit 50 me 50.

Pra, gjysma e ngarkesës ishte në emër të trafikantit shqiptar, me vulën “Bello” ose “RS6” –logoja e kompanisë – gjysma tjetër ishte në pronësi të latinëve.

Shpesh pjesa e kokainës që ishte e Rexhepit merrej me kredi.

Gjithashtu, një përqindje e drogës se amerikano-jugorëve iu besua klanit shqiptar për t’u shpërndarë në Evropë.

Mund të thuhet se kompania “Bello” u kthye në një federatë krimi, bazuar në një ndarje të saktë të detyrave dhe të ardhurave.

 

Në ndihmë të gjithë kësaj ishte edhe përdorimi i një sistemi komunikimi të sofistikuar e të koduar (nëpërmjet BlackBerry) dhe i koordinuar nga Rexhepi.

Zinxhiri i furnizimit përfshinte shumë aspekte.

Si fillim ndihmën ekonomike për familjarët e të burgosurve dhe asistencë për mbledhjen e borxheve.

Gjatë këtyre 10 viteve, gjaku ka njollosur rrugët e Quito-s dhe qyteteve të tjera në Ekuador.

Bëhet fjalë për një seri vrasjesh, gjurmët e të cilave të çojnë direkt në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë.

Si fillim më vrasjen e gazetarit investigativ, Fausto Valdiviezo, për të cilën dyshimet e hetuesve u fokusuan te trafikanti shqiptar i drogës Adriatik Tresa.

Protagonizmi në rritje i bandave shqiptare në trafikun transatlantik të kokainës konfirmohet edhe në Kontinentin e Vjetër.

Mes 2018-ës dhe 2020-ës, sipas të dhënave të Europolit, 266 të arrestuar në Evropë për trafik kokaine ishin shqiptarë përballë 257 brazilianëve dhe 168 kolumbianëve.

Me pak fjalë, ndikimi në rritje i shqiptarëve në rrugët e kokainës shkon përtej kufijve të Ekuadorit.

Marrë nga “Irpimedia”, përshtatur për Albanian Post