Kosova

Drecun: Serbia nuk lejon dëbimin dhe vrasjen e popullit serb në Kosovë


Kryetari i Komisionit për Kosovën në Kuvendi të Serbisë, Milovan Drecun.

“Nëse rastësisht Prishtina përpiqet të kryejë aksione të dhunshme kundër popullit serb, me dëbim dhe vrasje, dhe KFOR-i nuk mund ta ndalojë një gjë të tillë brenda 24 orëve, ne do të duhet të shpëtojmë njerëzit tanë me forcën dhe kapacitetet tona”,  ka thënë kryetari i Komisionit për Kosovën në Kuvendi të Serbisë, Milovan Drecun.

Pra, sipas tij Serbia mund të intervenoj për të parandaluar kinse “vrasjen dhe dëbimin (e serbëve) dhe asgjë tjetër”.

Drecun për të “rehabilituar” deklarimin e tij kërcënues ndaj Kosovës është thirrur kinse në një deklaratë të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Mos harroni deklaratën e Kryetarit të Parlamentit në Prishtinë, Glauk Konjufca, i cili tha para këtyre ngjarjeve se ishte bërë një plan sekret, realizimi i të cilit duhet të çojë në një rritje të pranisë së institucioneve të Kosovës në Veri, brenda gjashtë muajve ose një viti”.

Ndërsa lidhur me këtë ai konsideron se “Kurti, Drejtori i Agjencisë së tyre të Inteligjencës, dhe krerët e Njësive Speciale dhe Forcave të Sigurisë morën pjesë në hartimin e atij plani. Kjo sugjeron që është bërë një plan sekret për dërgimin e këtyre njësive në Veri. Dhe ne shohim që ekzistojnë ato veprime në bazë të një plani”, ka deklaruar Drecun.

Ai tutje ka shtuar se ata përdorin baza formale për ndërhyrjet e Njësive Speciale në Veri të Kosovës.

Është e vështirë të bësh një strategji shtetërore kur, “nga ana tjetër, ke dikë që sillet plotësisht në mënyrë të paparashikueshme dhe nuk respekton marrëveshjen e arritur”.

Drecun është shprehur se shteti i koordinon të gjitha veprimet e tij me popullin serb që jeton në Kosovë, por edhe me anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare dhe KFOR-in.

Por, pse nuk shkoi presidenti serb në Veri, Drecun e ka një përgjigje për këtë.

“A mendoni se do të ishte e mençur të bënte diçka të tillë në këtë situatë? Nuk është detyrë e presidentit të shtojë vaj në zjarr, të provokojë paqëndrueshmëri apo reagimin e Prishtinës”.

Mesazhi i shtetit të Serbisë është që Prishtina të mos ndërmarrë veprime të dhunshme të njëanshme që rrezikojnë mbijetesën e popullit serb. Pjesa e dytë e atij mesazhi është se nëse kjo ndodh, “KFOR-i duhet të përmbushë mandatin e tij”, është shprehur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore