Drafti i Komisionit për reformën zgjedhore gati të dërgohet në Kuvend

SHFLETO

Zgjedhjet në Kosovë.

 

Altina Marmullaku
29.11.2022 10:52
Loading Icons...

Komisioni Ad-Hoc për reformën zgjedhore në Kosovë, ka mbajtur mbledhjen e fundit në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), OSBE, përfaqësues nga ambasadat e huaja për të prezantuar rekomandimet e KQZ-së në këtë Komision.

Kryetari i Komisionit Ad-Hoc, Abelard Tahiri, ka thënë se konsensusi brenda partive ekziston dhe se janë të gatshëm që shumë shpejt draftin ta dërgojnë në Kuvend.

“Ne e kemi përmbyll me një afat të caktuar dhe besoj që kjo do të jetë punëtoria e fundit para se të fillojmë me draftimin e Ligjit për zgjedhjet nacionale”, tha Tahiri.

Ndërsa, nënkryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se do të marrin për bazë rekomandimet e OSBE-së në mënyrë që procesi të përmbyllet me sukses.

Komisioni Ad-Hoc

“Komisioni Ad-Hoc i themeluar nga Kuvendi i Kosovës si rrjedhojë e deklaratave të nënshtruara nga përfaqësuesit e partive politike, ka një mandat dhe që buron nga kjo deklaratë dhe ka për qëllim përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor duke marrë shkas nga rekomandimet e Misionit të Vëzhguesve të BE-së pa u kufizuar në këto rekomandime, por që gjithsesi në funksion të procesit të organizimit të zgjedhjeve”.

Kurse, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka shprehur gatishmëri që ta ndihmojnë Komisionin për këtë çështje.

“Besoj që Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë ofron një bazë të mirë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike megjithatë diçka siç është diskutuar dhe siç është rekomanduar nga shumë palë ka nevojë por edhe një mundësi për të forcuar ketë kornizë ligjore dhe për të ofruar edhe më shume në standardet ndërkombëtare për zgjedhje”.

Reforma zgjedhore është parë si proces i domosdoshëm edhe nga njohës të fushës së drejtësisë në Kosovë.

Madje sipas tyre kjo ka qenë edhe kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare.

Ndonëse nisi si proces vite më parë, në mungesë të vullnetit nga të gjitha partitë politike, kjo iniciativë mbeti në gjysmë.