Përballje

Dortmund-i fiton me përmbysje, spektakël golash në Bundesliga


Dortmund ka arritur një fitore të madhe në fushën e Wolfsburg.

Verdhezinjtë e nisën ndeshjen shumë keq, duke pësuar qysh në minutat e para të takimit.

Ishte sulmuesi holandez i ujqërve, Weghorst, ai që shënoi për 1-0, pak para se të mbyllen 120 sekonda lojë.

Pas golit të pësuar, Borussia Dortmund do të mund të merrte lojën tërësisht nën kontroll, duke krijuar shumë mundësi.

Por, golin skuadra e Marco Rose do ta gjente vetëm nëpërmjet penalltisë.

Në minutën e 35-të, nga pika e bardhë, i saktë u tregua Emre Can, që shënoi për 1-1.

Me rezultat të barabartë u mbyll pjesa e parë.

Dotmund-i u kthye në të njëjtën formë në pjesën e dytë, pra plot dominim në ndeshje.

Dhe, mundi i tyre u shpërblye pas 10 minutash, kur Marco Reus asistoi për holandezin tjetër që gjeti golin në këtë takim, Doneyll Malen.

Deri në fund, Dortmund-i e gjeti golin edhe njëherë.

Rrugën e rrjetës e gjeti njeriu i rikthyer nga lëndimi, Erling Braut Haaland. Norvegjezi shënoi për 1-3 që do të ishte edhe rezultati përfundimtar.

Pastaj, Borussia Dortmund menaxhoi shumë mirë epërsinë, duke marrë tre pikë që e ngjisin përkohësisht në krye të tabelës.

Në ndeshjet tjera, kishte spektakël golash, ato përfunduan me këto rezultate:

Bochum 2-1 Freiburg

Koln 4-1 Moncengladbach

Greuther Furth 3-6 Hoffenheim

Hertha Berlin 1-1 Augsburg

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore