Kosova

Dollenberg: Doza e katërt e vaksinës anti-COVID parandalon ndonjë valë të re


Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Pas paralajmërimit të Ministrisë së Shëndetësisë së shumë shpejt në Kosovë do të nisë aplikimi i dozës së katërt të vaksinës anti-COVD, kjo është mirëpritur nga kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg.

Ajo ka thënë se në këtë mënyrë mund të parandalohet ndonjë shpërthim i mundëshëm i ndonjë vale të re të COVID-19 në Vjeshtë në Kosovë.

“Ndërkohë që edhe Kosova për fatin e mirë po fillon ta implementojë si tendencë që të vaksinuarit me tre doza të marrin dhe një dozë rifreskuese për të parandaluar shpërthimet e vjeshtës”, ka thënë Dollenberg për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Sipas saj, aktualisht situata me COVID-19 është pak shqetësuese.

“Është e vërtetë që situata po duket të behët pak më shqetësuese pasi që shifrat siç e kemi vënë̈ re edhe vitin e kaluar gjatë periudhës së verës ka një tendencë për rritje dhe shpërthejnë, sipas statistikave të deritanishme, në periudhën e vjeshtës dhe për të parandaluar këtë eksperiencë të deritanishme ka filluar të planifikohet qoftë për Kosovën por edhe për vendet e tjera një vaksinim pak më intensiv”.

Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg.

“Dihet që më shumë se 90% e popullatës evropiane është tashmë e vaksinuar dhe mbi 70% i kanë marrë tri doza madje, kështu që doza e katërt për Gjermaninë ku unë jetoj por edhe për vendet e tjera evropiane është bërë standarde”.

Ndërsa, konsideron se në Kosovë përqindja e vaksinimit kundër COVID-19 është e ulët.

“Përqindja e të vaksinuarve është realitivisht e ulët në krahasim me vendet tjera evropiane kështu që nëse Gjermania e ka hequr pothuajse absolutisht çdo lloj tendence për kthimin e një ‘lockdoën’ ose të maskës sepse edhe përqindja edhe atyre që preken nga COVID gjithnjë është në ulje kjo gjë nuk do të vlejë patjetër për Kosovë sepse sa më i ulët niveli i vaksinimit aq më e lartë rrezikun”.

Dollenberg, thekson se nuk do të ketë rikthim të masave anti-COVID.

“Rreziku në Kosovë është aktual, rishikimi është një ide dhe iniciativë shumë e mirë, por të gjitha statistikat vazhdojnë të flasin se nuk do të kemi në verë një rikthim të maskës apo të këtyre distancës sociale. Pandemia edhe për Kosovën do të ketë një fund së shpejti”.

Sa i përket lijës së majmunit, ajo thotë se kjo sëmundje e re nuk paraqet ndonjë shqetësim i madh për Kosovën por edhe Evropën në përgjithësi për shkak të numri të kufizuar të rasteve.

“Lija e majmunit vazhdon të mbetet me një përqindje shumë të ulët në nivel evropian, janë më numër rastet që i kemi identifikuar në Gjermani. Për Kosovën vazhdon të jetë i parrezikshëm qoftë për përhapjen e një epidemie, por edhe nga ana klinike, mund të them që virusi i lijës së majmunit është shumë herë më i dobët”.

“Sesa ajo e coronavirusit dhe nuk përhapet me rrugë ajrogjene sikur coronavirusi por vetëm me një minikontakt shumë intensiv trupor siç mund të jetë përqafimi, kontakt seksual, kështu që virusi i majmunit nuk është edhe për Kosovën një sfidë për shëndetësinë“, u shpreh Dollenberg.

Ndryshe ditëve te fundit ka një rritje të rasteve pozitive me Coronavirus në Kosovë.

Vetëm në 24 orët e fundit pozitivë me COVID-19 kanë rezultuar 52 qytetarë. Në total numri i rasteve aktive është 250.

Sa i përket sëmundjes se lijës së majmunit, ka qenë vetëm një rast i dyshuar por që rezultatet e nxorën negativ.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore