Kosova

Dogana dhe Policia e Kosovës me aksion në Veri – cak kontrabanda e mallrave


Ilustrim

Dogana e Republikës së Kosovës në orët e mëngjesit të shtunës së 25 dhjetorit ka zhvilluar një aksion kontrolli në tri lokacione në Veri të Kosovës, kundër kontrabandës me mallra.

Ky aksion i Doganës është asistuar nga Policia e Kosovës.

Dogana në një njoftim në rrjetin social Facebook ka thënë se ky operacion ka filluar në orët e para të mëngjesit ku qëllimi ishte të kontrollohen bizneset të cilat operojnë në rajonin e Zubin Potokut, respektivisht dy lokacione në fshatin Zupçe dhe një tjetër në fshatin Uglar.

“Operacioni ka pasur qëllim kontrollin e bizneseve për shmangje të tatimit si dhe veprimtari ilegale të kontrabandimit të mallrave. Operacioni ka rrjedhur pa asnjë incident”.

“Dogana e Kosovë në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontrolle në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës në fund ka ftuar qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095.

“Dogana e Kosovës rishtazi ka lansuar aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron mundësi për verifikim të kilometrave të automjeteve të importuara nga muaji Shtator”, thuhet ndër të tjera.

Në mëngjesin e 13 tetorit në Veri të Mitrovicës, Dogana dhe Policia e Kosovës kishin filluar një aksion në gjithë Kosovën, përfshirë edhe komunat serbe në Veri, kundër kontrabandës me mallra.

Mirëpo, ky aksion ishte penguar të zhvillohet në disa lokacione në Veri nga ana e serbëve lokal, të cilët kishin penguar dhe sulmuar zyrtarët shtetëror.

Gjatë aksionit në Veri kishin mbetur të lënduar gjashtë zyrtarë policor nga një granat dore e hedhur nga protestuesit.

Në mesin policëve të lënduar ishte edhe komandanti i Njësisë Speciale, Besart Ahmeti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore