Lajme

Dodik ofendon Beçiroviç-in: RS është më e vjetër se BeH, protektorati u krijua në Dejton


Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, i ka reaguar serish anëtarit boshnjak të presidencës trepalëshe të BeH-së, Denis Beçiroviç, mbi sovranitetin e BeH dhe “sovranitetin” e entiteteve, duke pretenduar se BeH “nuk ka sovranitet sepse është një protektorat që qeveriset nga të huajt duke vendosur ligje”.

“Bëhet fjalë për dispozitat e Kushtetutës dhe Beqiroviç vazhdimisht manipulon dhe mashtron sepse nuk i citon nenet e Kushtetutës si të shkruara, por vetëm pjesë të caktuara. Kur flitet për vazhdimësinë e BeH-së, Kushtetuta thotë qartë ‘se ajo vazhdon ekzistencën e saj ligjore në përputhje me të drejtën ndërkombëtare si shtet, me një strukturë të brendshme të modifikuar sipas dispozitave të përfshira këtu’”, ka shkruar Dodik në Twitter.

Më saktësisht, e gjithë vazhdimësia e saj sipas Kushtetutës së Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995) reduktohet ekskluzivisht në tri pika të kufizuara të vazhdimësisë: emri ‘Bosnjë dhe Hercegovinë’, kufijtë e njohur ndërkombëtarisht dhe anëtarësimi në Kombet e Bashkuara”.

Sipas tij, Beqiroviç “i shmanget me këmbëngulje të citojë artikullin që thotë: ‘BiH përbëhet nga dy entitete, Federata e BeH dhe Republika Srpska’”.

Natyrisht, potencon ai, Beqiroviç “e di këtë, por me manipulime po mundohet të mbulojë faktin se Bosnja dhe Hercegovina është formuar vetëm në Dejton, dhe atë nga dy subjekte dhe Distrikti i Bërçkos si bashkëpronësi e këtyre dy subjekteve”.

“As Republika Srpska dhe as Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk u krijuan në Dejton, sepse ato ekzistonin më parë si fakt politik dhe juridik, me pushtet sovran në territorin e tyre dhe të njohura nga bashkësia ndërkombëtare”.

Presidenti autoritar i RS-së thotë se BeH “nuk ekzistonte, kështu që vetëm në Dejton u themelua si shtet i përbërë nga entitete shtetformuese përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare”.

“Kjo konfirmoi sovranitetin dhe legjitimitetin e Republikës Srpska dhe Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, si dhe zhdukjen e “Republikës së Bosnjë-Hercegovinës’.

Prandaj, pretendon ai, “mbetet vetëm ‘Bosnja dhe Hercegovina’, për të jetuar si term gjeografik me kufij të njohur ndërkombëtarisht”.

Pretendimi i Dodik-ut: Entitetet në Bosnje e Hercegovinë janë shtete

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore