Do të jem në listën e hapur të kandidatëve për deputetë, thotë Basha

Brenda javëve të ardhshme një emër jo i vogël kandidatësh do të bëhen publikë
SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
23.09.2024 19:00
Loading Icons...

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, bëri me dije se grupimi që ai drejton do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme me listë të plotë prej 140 kandidatësh.

Në daljen për mediat Basha theksoi se edhe se vetë ai do të jetë pjesë e listës së hapur.

Sipas tij, brenda javëve të ardhshme një emër jo i vogël kandidatësh do të bëhen publikë dhe pjesë e tyre janë edhe nga partitë e Harkut Opozitar Euroatlantikë.

“Jemi në fazën e përfundimit e listës tonë të kandidatëve për deputetë. Besoj që brenda ditëve të ardhshme, javëve të ardhshme, një emër jo i vogël kandidatësh do të bëhen publikë. Disa prej tyre kanë nisur tashmë dhe punën në terren. Natyrisht, ky është një proces që po ndodh në bashkëpunim edhe me partitë e Harkut Opozitar Euroatlantik, sepse do të jetë një listë e konsoliduar”.

Për të konsensusi i deritanishëm i Kolegjit të Kryetarëve, i Kryesisë së Partisë edhe i Këshillit Kombëtar, por që do të marrë formë përfundimtare së shpejti, është “që të shtyjmë përpara me rekursin, me ankimimin që kemi bërë në Gjykatën Kushtetuese, kundër mbylljes së listave nga Edi Rama dhe Sali Berisha”.

Por në çdo rast – ai theksoi – do të konkurrojnë me lista të hapura.

“Pra përmes lëvizjeve tona do të pamundësojmë listën e mbyllur të Demokratëve Euroatlantikë, të Harkut Opozitar Euroatlantik dhe do të garojmë me 140 kandidatë në lista të hapura. Unë vetë do të jem në listën e hapur dhe renditja do të jetë alfabetike”, tha ai.