Shqipëria

Dita e tretë në protestë – qytetarët bllokojnë rrugët e Tiranës


Edhe pse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ngriti bordin e mbikëqyrjes dhe premtoi se nuk do të ketë më çmime abuzive, qytetarët janë mbledhur sërish përpara zyrës së tij.

Ata për të tretën ditë radhazi po protestojnë kundër ngritjes së çmimit të karburantit, por jo vetëm.

Manifestimit në Tiranë i janë bashkuar dhe plot figura të famshme të ekranit, duke nisur nga aktorët, moderatorët dhe gazetarët.

Ata njëzëri janë shprehur se “mund ta bëjmë Shqipërinë dhe t’u japim një përgjigje atyre që janë në krye”.

Më pas nga Kryeministria ata u zhvendosën drejt Unazës së Vogël duke bllokuar qarkullimin.

Protesta edhe sot më 11 mars ka gjetur shtrirje në të gjithë Shqipërinë.

Në Bulqizë, në shenjë revolte qytetarët kanë bllokuar rrugën e “Arbërit”.

Këtë mënyrë proteste kanë zgjedhur edhe qytetarët e Lezhës. Ata kanë bllokuar aksin Lezhë-Shkodër.

Protesta në Lezhë

Po ashtu edhe në Durrës, njëjtë si një ditë më parë, qytetarët do të bllokojnë autostradën Tiranë-Durrës.

Qytetarët do ta nisnin marshimin nga Stacioni i Trenit drejt autostradës, duke bllokuar rrugët.

Ata kanë shkuar më tej dhe kanë “paralizuar” hyrjen në Portin e Durrësit për mjetet.

Edhe në Berat, ka nisur protesta kundër rritjes së çmimeve.

Protesta në Durrës

Gjatë kësaj dite, kreu i qeverisë Edi Rama njoftoi se brenda 24 orësh do të  miratohet akti normativ dhe do të ngihet bordi kombëtar i furnizimit me karburant.

Ndërsa ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka bërë me dije se do të nisë kontrollin në terren, për të parë nga afër gjendjen faktike të depozitave të naftës të kërkuar në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave 808 të vitit 2004.

Kontrolli ka të bëjë me rafineritë, të cilat janë të detyruara që të mbajnë rezerva sigurie për 90 ditë të barabarta shitjeje.

Kujtojmë që çmimi i naftës arriti vlerë prej 260 lekë për litër.

Kjo rritje e beftë solli reagimin e menjëhershëm të shoqërisë civile, që prej tre ditësh kanë dalë në protestë përpara Kryeministrisë, por edhe në disa qytete të vendit.

Protestuesit në Dibër

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore