Kosova

Dispozita e paraburgimit obligativ që u hoq nga Qeveria, do të ndalonte arratisjen e Enver Sekiraqës


Foto: Albanian Post.

Me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që u inicua nga Qeveria e Kosovës, në vitin 2023 u largua edhe dispozita e paraburgimit obligativ – që mundësonte paraburgimin e një personi kur dënimi ndaj të njëjtit caktohej mbi 5 vjet.

Po të mos ndodhte ky ndryshim, Enver Sekiraqa asnjëherë s’do të mund të lëshohej në shtëpi e rrjedhimisht të arratisej.

Pa ndryshimet e bëra, Sekiraqa, si i dënuar për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, me dënim të shqiptuar prej 25 vjetësh burgim, do ta kishte të pamundur lirimin.

Ai kishte qëndruar nën masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak mbi 10 vite.

Por, me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, dispozita u largua dhe për këtë arsye gjyqtarët kanë bazë ligjore të mos e caktojnë paraburgimin edhe kur caktojnë burgim me dënim të përjetshëm.

Avokati Ardian Bajraktari, kishte qenë pjesë e grupit punues të këtij kodi.

Ai thotë për Albanian Post se arsyeja e largimit të ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale u bë për shkak se vlerësohej se paraburgimi i shqiptuar i dënimeve bëhej në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.

“Paraburgimi obligativ shqiptohej kur dënim ishte me më shumë se 5 vjet burgim, sikurse ka qenë në Kodin paraprak të Procedurës penale. Pas shumë debateve dhe diskutimeve që janë zhvilluar nga grupi punues është vlerësuar se paraburgimi i shqiptuar në këtë mënyrë është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare si dhe në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e njeriut, prandaj i është lënë gjykatës në diskrecion”, thotë Bajraktari për AP.

Kodi i Procedurës Penale para ndryshimit.

Por, ai tregon se dispozita aktuale e nenit 366 të Kodit të Procedurës Penale, i ndërlidhur me nenin 184, përcakton rrethanat se kur mund dhe duhet të aplikohet përkatësisht shqiptohet masa e paraburgimit si masë për sigurinë e prezencës së të pandehurit në procedure.

“Me rastin e marrjes së aktgjykimit ky nen, kur plotësohen kushtet e parapara në nenin 184, kjo masë (masa e paraburgimit) mund të shqiptohet derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar nga gjykata e shkallës së pare, (paragrafi 6 i nenit 366)”.

Bajraktari, përmend edhe tri kushtet se kur mund të ushtrohet paraburgimi obligative.

“Së pari, duhet të ekzistojë dyshimi i bazuar që një person i privuar nga liria ka kryer një vepër penale, së dyti, qëllimi i privimit të lirisë duhet të jetë në funksion të zbatimit të procedurës penale dhe për më tepër, duhet të jetë proporcional, në kuptimin që duhet të jetë i nevojshëm për të siguruar paraqitjen e personit para autoriteteve kompetente përkatëse”.

“Së treti, privimi i lirisë apo caktimi i paraburgimit duhet të jetë bërë duke ndjekur procedurën e përcaktuar me ligj”.

Në rastin e Sekiraqës, ai vlerëson se do të duhej që ndonjëra nga këto masa të shqiptohej.

“Për sigurinë e prezencës së të pandehurit në procedurë, përfshirë paraburgimin. Gjithashtu, vendimi i Gjykatës së Apelit, ku është aprovuar si e bazuar ankesa e prokurorit të çështjes për këtë rast, është dëshmi shumë e qartë se si do të duhej vepruar gjykata e shkallës së parë”, shton ai.

“Rasti i Sekiraqës, do të duhej të kishte paraburgim”

Ish kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, gjatë një bisede për Albanian Post tregon se edhe në të kaluarën kjo masë nuk ishte zbatuar e tëra, por në situatën e Sekiraqës, si gjyqtar dhe ish kryetar i Gjykatës së Apelit, ai konsideron se i domosdoshëm ka qenë caktimi i paraburgimit.

“Në rastin e Enver Sekiraqës, do të duhej të ishte caktuar një paraburgim, për shkak se ai i ka ikur për një kohë të gjatë drejtësisë edhe është kusht përcaktimi i paraburgimit ndaj tij kur ekziston rreziku që i dyshuari të largohet sërish”.

Kodi i Procedurës Penale pas ndryshimit.

Sipas tij, të gjitha kushtet për caktimin e masës së paraburgimit, Sekiraqa i kishte plotësuar.

“Kusht për caktimin e paraburgimit është dyshimi i bazuar për kryerjen e veprave penale, pastaj pesha e veprës penale për shembull në rastin kur është vepra e rëndë ose rasti është më i rëndë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën fajësoi sistemin gjyqësor për arratisjen e Enver Sekiraqës, duke thënë se situata bëhet akoma më e rënduar kur ngjarje të tilla s’ngjajnë më si rastësi, duke mos përmendur faktin që në situatat si në rastin konkret, ka qenë vetë qeveria e tij që u ka dhënë më shumë fuqi gjyqtarëve.

Ngjashëm si Kurti edhe Haxhiu, fajin e hodhi tek sistemi gjyqësor, duke i akuzuar gjyqtarët për “joprofesionalizëm” që po ndikojnë në “, trashje të krimit”, derisa ka vlerësuar se ky rast ngre dyshime për korrupsion.

“Kjo qasje joprofesionale e gjyqtarëve në shumë raste po rezulton me trashje të krimit. Herë po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme. Dhe ky nuk është gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen me mendësi të gjykimit e të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve”, tha ajo.

Lajmin se Enver Sekiraqa është arratisur e kishte bërë të ditur Policia e Kosovës, duke thënë se i njëjti nuk ishte gjetur në shtëpinë e tij.

Ndërsa ka njoftuar se tashmë janë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare ndaj Enver Sekiraqës – i dënuar për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza

Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se kishin marrë urdhër nga Gjykata e Apelit për të sjellë Sekiraqën në paraburgim, pasi që të njëjtit i ishte ndryshuar masa e sigurisë.

Rasti “Sekiraqa”

Gjykata Themelore e Prishtinës, më 3 maj e kishte dënuar me 25 vjet burgim Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Sekiraqës i ishte ndërprerë edhe masa e arrestit shtëpiak.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vjetësh.

Megjithatë, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Polici Triumf Riza, u vra me armë zjarri më 30 gusht 2007 me të dalë nga një lokal në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Për vrasjen e tij ishte dënuar Arben Berisha, i cili ka pranuar se ka shtënë në drejtim të Rizës.

Këtij incidenti, siç thonë nga Prokuroria, i kanë paraprirë një seri incidentesh, ku më i voni ishte incidenti në “Swiss Casino” në dhjetor 2006.

Në incidentin në “Swiss Casino”, ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër.

Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore