Gjykata Speciale

Diplomati austriak thotë se nuk dinin për strukturën e UÇK-së në 1998: Vëzhguesit e BE-së kishin përvoja të ndryshme


Diplomati austriak, Jan Kickert.

Diplomati austriak, Jan Kickert, gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale ka deklaruar se ata nuk ishin të informuar shumë për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Ne nuk dinim shumë, pak fare. Përpiqeshim që të kuptonim se si ishte e organizuar dhe strukturuar UÇK-ja. Më kujtohet që vëzhguesit e Bashkimit Evropian kishin përvoja të ndryshme në pjesët e ndryshme të Kosovës gjatë kontakteve të tyre me UÇK-në. Disa ishin më agresiv, disa trajtonin praninë e vëzhguesve në mënyrë më të qetë”, tha ai.

Sipas tij, zonat e ndryshme të UÇK-së nuk e kishin strukturën e njëjtë.

“Në atë kohë, ndjenja ime ishte që ishte një qendër në rajonin e Drenicës, por jo që detyrimisht UÇK-ja në pjesën perëndimore të Kosovës në zonën e Dukagjinit për shembull ishte në të njëjtën strukturë apo e centralizuar në të njëjtën strukturë”.

Kickert, deklaratën për strukturën e UÇK-së e bëri derisa avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiç, e pyeti atë për një kabllogram të 27 qershorit të 1998-së, të cilin vetë dëshmitari e kishte shkruar.

“Keni shkruar: Struktura komanduese e UÇK-së ngelet si diçka misterioze sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithëse, UÇK-ja vepron duke përdorë emër si Shtabi i Përgjithshëm e në pamjen e Shteteve të Bashkuara është një strukturë e shpërndarë horizontale dhe struktura koordinimi, kjo do të ishte problematike për të përfshirë UÇK-në në politikë. A ju kujtohet nga ku ju ka ardhur ky informacion?”, pyeti ai.

Ai theksoi se interesi i tyre nuk ishte që të mësohej për strukturën e strukturën e UÇK-së në verën e vitit 1998-së, por që të gjenin dikë që ta përfshinin në procese politike.

“Ne, donim që të kontaktonim me persona që mund të flisnin në emër të UÇK-së dhe të përfshiheshin në procesin politik. Sigurisht që për të gjetur dikë që kishte kompetencë dhe autoritet në emër të UÇK-së dhe që mund të flisnim do duhej që ai të kishte informacion të përgjithshëm mbi UÇK-në”.

Ndërsa, përmendi se në verën e 1998-së, ishte takuar me diplomatin Richard Holbrookem,  ku kishte kuptuar se SHBA-të kishin më shumë informacione për strukturën e UÇK-së.

“Besoj që amerikanët kishin më shumë informacione inteligjencë sesa ne. Amerikanët kishin një prani në Prishtinë, kishin edhe një Shërbim të Informacionit të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, që ne evropianët nuk kemi pasur prani të vazhdueshme atje”.

“Kështu, që si e kemi kuptuar situatën ne atëherë ishte që prezenca apo prania e Shteteve të Bashkuara përfshinte edhe pjesën e informacionit inteligjent ose informimit në përgjithësi”.

Diplomati austriak, Jan Kickert, i cili kishte shërbyer në Beograd gjatë viteve 1997-1999 ka nisur dëshminë të martën në Speciale.

Gjatë intervistimit të tij nga prokurori John Capin, ai është pyetur për një dokument ku pretendohet se disa përfaqësues të Speciales së Sekretares së Përgjithshme të UNMIK-ut kishin njoftuar Hashim Thaçin – njëri nga eprorët e UÇK-së në atë kohë për lirimin e disa serbeve dhe romëve që pretendohet se mbaheshin në Prishtinë nga UÇK-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore