Kosova

Diku bojkotim, diku shtyrje – sfidat e procesit të regjistrimit të popullsisë


Foto: Albanian Post.

Regjistrimi i popullsisë u shty për disa herë radhazi, për shkak të mos përgatitjeve të duhura nga institucionet për të nisur këtë proces.

Megjithëse procesi zyrtarisht nisi më 5 prill, në komunat veriore të Kosovës, të banuara me popullsi me shumicë serbe, është thënë se do të bojkotohet ky proces e në disa komuna të tjera po kërkohet të shtyhet.

Faktikisht procesi është dashur që të nis në të njëjtën datë në 38 komuna të Kosovës, por në Zubin Potok ashtu siç ka deklaruar kryetari Izmir Zeqiri, do të nis të hënën.

“Sot (e premte) pritet të nënshkruajmë kontratat e një pjese për shkaqe teknike. Dua të them që shumica konkurrente e shumicës serbe janë tërhequr nga konkurrenca e tyre”, tha Zeqiri.

Kur edhe ndodhi regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, procesi s’u mbajt në katër komunat në Veri, kjo për shkak se me ftesë të Beogradit procesi u bojkotua.

Një mesazh i ngjashëm është shpërndarë sërish, por kësaj radhe nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve e cila e ka mbështetjen e Beogradit.

Foto: Ilustrim.

Sipas Listës Serbe, s’ka kushte për regjistrim të popullsisë në Kosovë, kjo pasi konsiderojnë se pushteti aktual në Kosovë “s’ka ndjesi ndaj komunitetit serb” dhe është duke bërë “përpjekje për zvogëlimin e rolit dhe rëndësisë së tyre në shoqëri”.

Kështu duke thënë se pjesëtarët e komunitetit serb s’do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë për shkak “shtypjes nga regjimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”.

Ndërsa, thonë se shtypje e konsiderojnë edhe rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës – e cila ndaloi marrjen e pagesave në dinarë, të cilat jepen nga buxheti i  Serbisë.

Më 28 shkurt, Qeveria e Kosovës, kishte ndarë 120 mijë euro për fushatën sensibilizuese për projektin e regjistrimit të popullsisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e së premtes ku është diskutuar për regjistrimin e popullsisë dhe koordinimit mes komunave dhe Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, ka bërë të ditur se edhe deklarimi i dëmeve nga lufta do të përfshijë periudhën nga 28 shkurti i 1998-së deri më 12 qershor të 1999-së.

“Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara, si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur”, ka thënë Kurti.

Sipas tij dokumentimi i krimeve është thelbësore për bashkimin e forcave.

“Kjo na ndërlidhë me pikën e dytë të rendit të ditës së sotme, Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, të cilin e kemi funksionalizuar për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet, anembanë Kosovës”.

“Për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por edhe brezave që do të vijnë pas nesh”.

Ndërsa ka treguar se formulari regjistrimit të popullsisë do të përfshijë të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës e nivelin e edukimit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka paralajmëruar se personat që vendosin të mos regjistrohen mund të përballen me gjoba të parashikuara me ligj nga 30 deri në 2 mijë euro.

Gjobat për biznesmenët janë edhe më të larta dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.

Regjistruesit e kanë për obligim të shkojnë në të njëjtën ekonomi familjare tre herë, në rast se në dy herët e para nuk arrijnë të takojnë qytetarin për t’i marrë informatat për regjistrim.

Gjatë vizitës regjistruesit janë të detyruar të lënë një njoftim se kanë ardhur dhe nuk kanë gjetur askënd.

Ligjet do të ekzekutohen nga gjykatat dhe Policia e Kosovës.

Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave, sipas Zyrës Evropiane të Statistikave (Eurostat) e cila funksionin brenda Komisionit Evropian, shërben si një mjet i rëndësishëm për mbledhjen e informacionit të saktë dhe të përditësuar demografik dhe të banesave, informacione të cilat më pastaj shndërrohen në të dhëna thelbësore statistikore për zhvillimin e politikave.

Sipas Eurostat, ky është një proces i cili duhet të kryhet nën përgjegjësinë e plotë të autoriteteve shtetërorë dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore