Lajme

Kurti: Nga 28 shkurti i 98-së deri më 12 qershor të 99-së, deklarohen dëmet nga lufta


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin ku është diskutuar për regjistrimin e popullsisë dhe koordinimit mes komunave dhe Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, ka bërë të ditur se deklarimi i dëmeve nga lufta do të përfshijë periudhën nga 28 shkurti i 1998-së deri më 12 qershor të 1999-së.

“Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara, si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur”, ka thënë Kurti.

Sipas tij dokumentimi i krimeve është thelbësore për bashkimin e forcave.

“Kjo na ndërlidhë me pikën e dytë të rendit të ditës së sotme, Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, të cilin e kemi funksionalizuar për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet, anembanë Kosovës”.

“Për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por edhe brezave që do të vijnë pas nesh”.

Ndërsa ka treguar se formulari regjistrimit të popullsisë do të përfshijë të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës e nivelin e edukimit.

Që sipas kreut të ekzekutivit, “do të ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët, neve si qeveri, juve si Komuna dhe çdo institucioni të Republikës sonë”.

Të premten në Kosovë ka nisur procesi i regjistrimit të popullsisë, procesi pritet të zgjasë deri më 17 maj.

Pjesëmarrja në regjistrim është e obligueshme me ligj, ndërsa në rast refuzimi, qytetari mund të penalizohet me gjobitje prej 30 deri në 2,000 euro.

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë për herë të fundit ishte organizuar në vitin 2011.

Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.

Ndryshe fillimi i procesit u shty për disa herë. Regjistrimi i popullsisë fillimisht ishte paraparë të nis më 1 shtator të vitit të kaluar.

Ai u shtyje për 1 nëntor, për t’u shtyrë më pas përsëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore