Dështon mbledhja e Komisionit ku do të shqyrtohej Projektligji për Fondin Sovran

SHFLETO
Valon Rashiti
29.11.2023 10:12
Loading Icons...

Ka dështuar mbledhja e Komisionit për Ekonomi për shqyrtimin e raportit me rekomandime për lexim të dytë për Projektligjin për Fondin të Kosovës.

“Mbledhja nuk do të mbahet, kërkoj mirëkuptim”, tha Ferat Shala, kryetar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Për Shalën, kjo është një praktikë që shumica parlamentare po e përdor taktikisht për t’i ikur debatit për Fondin Sovran.

Dy ditë më parë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), janë shprehur kundër projektligjit për Fondin Sovran, kjo pasi sipas tyre i njëjti i bën dëm ekonomisë të Kosovës.

Edhe ish-kryeministri i Kosovës i Kosovës, Avdullah Hoti, konsideron se projektligji për Fondin Sovran dëmton konkurrencën, investimet private, ndërmarrje publike dhe buxhetin e shtetit.

Megjithatë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik ndonjëherë, i cili, sipas tij, do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e aseteve publike.

Fondit Sovran pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës. Ky është mekanizmi përmes së cilit Qeveria e Kosovës mbledhë shumën e mjeteve monetare – surpluset e rezervave, shitja e resurseve natyrore, privatizimet – për qëllime të investimeve strategjike.

Në këtë pasuri, me të cilën do të menaxhojë Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asetet strategjike, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Kjo ka nisur të rregullohet përmes një Projektligji për Fondin Sovran, i cili u publikua më 13 mars dhe deri më 2 prill do të jetë në konsultim publik. Pas konsultimeve procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji e definon Fondin Sovran si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës. Kapitali themeltar i Fondit Sovran, siç thuhet në projektligj, është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Krijimi i Fondit Sovran ka qenë premtim elektoral i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Prej atëherë, ai ka qenë pjesë e secilës platformë zgjedhore, përfshirë edhe programin qeverisës të Qeverisë Kurti 1. Ky premtim pas marrjes së pushtetit është futur edhe në programin qeverisës katërvjeçar.