Gjykata Speciale

Dëshmitari i nëntë në gjykimin ndaj Shalës nis deklaratën në seancë të mbyllur


Pjetër Shala.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka nisur seanca gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, e cila është duke u mbajtur e mbyllur për publikun.

Sipas DhSK-së, seanca po mbahet e mbyllur për shkak të disa arsyeve.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia tha se gjatë kësaj seance do të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të nëntë të mbrojtjes, me kodin W04280, i cili do të jetë me masa mbrojtëse.

Ajo shtoi se, “dëshmitari s’do të jetë i pranishëm në sallë, mirëpo përmes video-lidhjes”.

Po ashtu, edhe Pjetër Shala, është duke e përcjellur seancën përmes video-lidhjes.

Seanca private ndaj Pjetër Shalës.

Shala ishte arrestuar më 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge. Ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.

Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në aktakuzë.

Por, Shala në nisje të gjykimit ndaj tij pati thënë në se akuzat ndaj tij janë “të fabrikuara”.

“Nuk pranoj asgjë, të gjitha janë të fabrikuara”, theksoi Shala.

Gjykata Speciale tashmë e ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte në dhjetor të vitit të kaluar.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar më 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore