Gjykata Speciale

Dëshmitari i 85-të në Speciale është ish ushtar i UÇK-së


Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Dëshmitari i 85-të ka nisur dëshminë e tij në rastin e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me numër “W04737”, i cili është thënë nga trupi gjykues se është ish pjesëtar i UÇK-së.

Dëshmia e tij pritet të zgjasë dy ditë, teksa njoftimin për dëshminë e këtij dëshmitari e ka dhënë prokurori Matt Hawling.

Gjatë javës së kaluar në Speciale nuk ka pasur seanca, teksa kjo seancë po zhvillohet në seancë private.

Gjykata Speciale ka njoftuar më herët se trupi gjykues ka pranuar dëshmitë dhe provat me shkrim të nëntë dëshmitarëve në çështjen gjyqësore “Thaçi dhe të tjerët”.

Gjithashtu, trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën në lidhje me dëshmitarin e 10-të, pa paragjykuar të drejtën e prokurorisë për të paraqitur kërkesë për ta thirrur dëshmitarin të dëshmojë në sallën e gjyqit.

Ndryshe, nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar 84 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-zyrtarë të misioneve, ish-komandantë e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa sot do të ofrojë dëshminë dëshmitari i 85-të.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që ka nisur më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore