Kosova

Deputeti ukrainas: Ta njohim pavarësinë e Kosovës, mjaft krijuam mite rreth saj


Oleksiy Goncharenko

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, pas fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, ka paraqitur argumentet e tij në favor që Ukraina të njohë pavarësinë e Kosovës.

Ai argumenton se për Ukrainën, çështja e Kosovës nuk ka të bëjë veçanërisht me Kosovën, as me argumente ligjore dhe as me precedentë.

“Kjo ka të bëjë me atë që është doktrina ndërkombëtare e Ukrainës. Dhe në situatën me Kosovën, si në çdo situatë tjetër të ngjashme, Ukraina ka zgjedhur prej kohësh opsionin ‘përfitues’ për vete”, shkruan ai në një artikull për ‘EuroPravda‘.

Ndër argumenet kryesore të cilat përdoren nga politikanët ukrainas për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, janë frika se “do të krijojë një precedent për mbështetjen e pushtimit të Krimesë”, “Serbia do të kthehet në armik” dhe “njohja e Kosovës do ta largojë Kinën nga ata”.

Argumenti i parë për Goncharenkon, jo vetëm që është i pasaktë, por “shembulli i Kosovës në asnjë mënyrë nuk lidhet me Krimenë”.

“Kosova është njohur nga shumica e vendeve të botës. Në fund të fundit, Kosova ka perspektivë që një ditë të bëhet anëtare e BE-së”, potencoi ai.

Sa i përket argumentit të dytë, ai thekson se është Serbia ajo që e ka aleat Rusinë kurse Ukraina e ka aleat Kosovën.

Kujtojmë se edhe deklaratat e shumta të elitës serbe që ushtrojnë pushtetin në Serbi janë anti-Ukrainë.

“Deklaratat e politikanëve pranë presidentit të Serbisë për ‘denazifikimin’ e Ballkanit nuk janë gjë tjetër veçse vazhdimësi e vektorit rus të politikës ndërkombëtare”, shprehet ai duke shtuar se “Kosova po i ndihmon ukrainasit tani” dhe “është padyshim aleate e Ukrainës”.

“Kina nuk e mbështet Ukrainën. Nuk ofron ndihmë humanitare. Nuk e dënon agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Ajo nuk përpiqet të bëjë presion ndaj Rusisë që të tërheqë trupat e saj dhe të ndalojë agresionin”, vlerëson Goncharenko duke komentuar argumentin e tretë.

“Ne në asnjë mënyrë nuk mund të provokojmë apo ndryshojmë opinionin e Kinës, sepse Ukraina nuk është një partner tregtar strategjik apo i rëndësishëm i Kinës”.

Për ta forcuar edhe më tej argumentin e tij pro shtetit më të ri në Evropë, ai merr shembull edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së më 22 qershor 2010 kur pranoi se sovraniteti i Kosovës nuk bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

“Në fakt, ju mund t’i jepni fund kësaj dhe të njihni pavarësinë e Kosovës – ky hap nuk do të cenojë asnjë doktrinë ndërkombëtare”.

“Të jesh lider i botës së lirë nuk ka të bëjë vetëm me kopertinat e Time. Të jesh lider i botës së lirë ka të bëjë me përgjegjësinë dhe qëndrimin”, përfundoi ai.

Por, kush është Oleksiy Goncharenko, deputeti ukrainas që po bën ‘luftë’ që Ukraina ta njohë Kosovën?

Ai është ukrainas nga qyteti i Odesas, deputet i Parlamentit të Ukrainës dhe anëtar i delegacionit ukrainas në Asamblenë e Përgjithshme në Këshillin e Evropës.

Është gjithashtu zëvendës-president në Komisionin për Migrim, Refugjatë dhe Zhvendosje të Brendshme të Personave.

Goncharenko është edhe themelues i rrjetit ukrainas për edukim dhe kulturë.

Në vitin 2014 ishte zgjedhur si deputet në parlament, apo siç njihet në Ukrainë, në Verkhovna Rada, në listën e partisë së bllokut të Petro Poroshenko-s.

Kurse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, Goncharenko garoi dhe u zgjodh si deputet i pavarur, duke fituar një ulëse nga qyteti i Podilsk, zona e Odesas.

Goncharenko është djali i ish kryetarit të Odesas, Oleksiy Kostusyev.

Nga viti 1999 deri në 2001, ai kishte punuar në stacionin e emergjencës mjekësore në Odesa, kurse në vitin 2002, u diplomua me nderime në Universitetin e Medicinës, porse vendosi që të mos bëjë karrierë brenda profesionit, por t’i futet politikës.

Ishte vetëm 21 vjeçar, kur garoi, por pa sukses, për Këshillin e Distriktit në Odesa nga zona e fshatit Tairove, për Partinë e Të Gjelbërve Ukrainas.

Pas kësaj, një kohë punoi si asistent në këtë Këshill.

Më pas kishte regjistruar studimet në Universitetin e Moskës, drejtimi Financa, ku diplomoi në vitin 2005, me një diplomë në Ekonomiks.

Prapë do t’i kthehej politikës për të fituar në zgjedhje lokale në disa pozicione, derisa në vitin 2012 garon për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të Ukrainës, por humbi nga kundërkandidati Ihor Markov.

Para Euromaidan-it që ndodhi në Ukrainë, Goncharenko ishte anëtar i Partisë së Regjioneve. Por në vitin 2014, me 19 shkurt, pasi veç kishin mbetur disa viktima në Euromaidan gjatë protestave, Goncharenko dha dorëheqje nga partia.

Në vitin 2015 ai ishte arrestuar nga forcat ruse, pasi kishte marrë pjesë në marshin në kujtim të Nemtsov, opozitarit rus.

Marshi protestues në Moskë

Sipas tij, kur ishte arrestuar ishte rrahur brutalisht nga forcat policore ruse dhe ishte zotuar se do ta padisë Ministrinë e Punëve të Brendshme të Rusisë.

Nga viti 2015, Goncharenko ka qenë anëtar i delegacionit parlamentar ukrainas në Këshillin e Evropës. Prej atëherë ai ka qenë kritik i madh i regjimit në Rusi dhe ka folur hapur për shkeljen e të drejtave të njeriut atje.

Në fjalimet e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ai kritikoi Moskën për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për okupimin e Krimesë dhe pjesëve të Donetsk-ut e Luhansk-ut.

Ka luftuar gjithashtu prej kohësh me propagandën ruse dhe narrativet e Kremlinit.

Në fjalimin e tij të 9 tetorit të vitit 2018, Goncharenko kishte mbajtur doreza të plastikës derisa fliste. Kishte thënë se pa to, “nuk do të jetë e sigurt t’i jap dorën kujt e të prekë dyert”, duke akuzuar kështu rusët për helmimet me agjentë kimikë të kundërshtarëve politik.

Prejse ka filluar lufta në Ukrainë, ai aktivisht avokon për krijimin e një tribunali ndërkombëtar që do të hetonte krimet e Rusisë në Ukrainë.

Ai ka vazhduar të luftojë propagandën ruse, derisa aktivisht ka dhënë intervista për mediat ndërkombëtare.

Ka mbajtur takime online me kongresmenë amerikanë. Një nga takimet më të vlefshme ishte, biseda online me 50 kongresmenë amerikanë ku kishte kërkuar embargo në vajin dhe gazin rus. Më vonë, SHBA-të vendosen sanksione ndaj vajit rus.

Dhe kohëve të fundit ai aktivisht është marrë me çështjen e Kosovës dhe njohjen nga Ukraina, derisa Serbinë e ka quajtur satelit të Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore