Lajme

Deputetët francezë duan të hetojnë financimin e dyshuar rus të partive


Anëtarët e Asamblesë Kombëtare të Francës iu drejtuan presidentit të dhomës së ulët të parlamentit me një kërkesë për të krijuar një komitet hetimor për të hetuar financimin e dyshuar të partive politike nga Rusia.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Në një letër drejtuar Kryetarit të Asamblesë Kombëtare, Yael Braun-Pivet, deputetët thanë se masa ishte nxitur nga deklasifikimi i fundit i inteligjencës amerikane.

Ky i fundit, zbuloi se Rusia kishte paguar qindra milionë euro për partitë e huaja politike “me qëllim të ndikimit në zgjedhje”.

Tetë deputetë që i përkasin partisë së presidentit francez Emmanuel Macron thanë gjithashtu se partia e ekstremit të djathtë Fronti Kombëtar i Marine Le Pen ishte ende duke shlyer një kredi të dhënë nga bankat ruse.

“Këto fakte tregojnë qartë dëshirën e Rusisë për të ndikuar në debatin publik francez … ata kërkojnë krijimin e një komiteti hetimor për të përcaktuar nëse – dhe cilat – partitë politike franceze kanë përfituar nga financimi rus”, shkruajnë deputetët.

Duke cituar inteligjencën e deklasifikuar amerikane, një zyrtar i lartë i administratës Biden tha më 13 shtator se Shtetet e Bashkuara presin që Rusia të përdorë gjithnjë e më shumë financime të fshehta politike në muajt e ardhshëm.

Këto, për të minuar sanksionet ndërkombëtare për luftën në Ukrainë dhe për të ruajtur ndikimin e Moskës jashtë vendit.

Megjithatë, zyrtari nuk specifikoi se në cilat vende synoheshin përpjekjet e ndikimit rus dhe nuk dha prova specifike që do të konfirmonin akuzat për financim sekret.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore