Kosova

Dënohet me 11 vjet burgim njëri i akuzuar për vrasjen e rëndë në Lipjan


Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Besnik Bedrolli, duke e dënuar me dënim prej 11 vjet burgim lidhur me akuzën se në shkurt të vitit 2015, në fshatin Banullë të Lipjanit ka privuar nga jeta të ndjerin U.D.

Ndërsa, të akuzuarin Bajram Bedrolli, gjykata e liroi nga akuza.

Të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 15 shkurti 2015.

Nga gjykata është konfiskuar edhe arma me të cilën është kryer vepra penale.

I akuzuari Besnik, obligohet që në emër të shpenzimeve të procedurës, të paguajë paushallin gjyqësor në shumën prej 200 eurove.

Kurse për kompensimin e viktimave të krimit, shumën 50 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu, gjykata nuk ka arritur të vërtetojë me asnjë provë se i akuzuari ka kryer veprën penale të “Mbajtjes në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kurse, sa i përket veprimeve të tani të akuzuarve Bajram dhe Bedri Bedrolli, në drejtim të lëndimeve të lehta trupore të shkaktuara ndaj të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi, gjykata konstaton se tani këto veprime inkriminuese janë parashkruar.

Për këtë rast është vendosur dy herë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, herën e parë më 27 nëntor 2018, ku të akuzuarin Besnik Bedrolli, për vrasje të rëndë e kishte dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim.

Ndërsa, për armëmbajtje pa leje me 1 vit burgim.

Ndërsa, i akuzuari Bajram Bedrolli, për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, ishte dënuar me 9 vite e 6 muaj burgim, kurse për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 1 vit burgim, mirëpo ndaj tij kjo gjykatë kishte shqiptuar dënimin unik prej 10 vite burgim.

Mirëpo, Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, duke anuluar aktgjykimin e shkallës së parë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 12 tetor 2015, pretendohet se Besnik Bedrolli dhe Bajram Bedrolli, më 14 shkurt 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin U. D.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore