Kosova

Delegacioni i Kosovës avokon në Francë për anëtarësimin në KiE


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë vizitës së tij zyrtare në Strasburg të Francës së bashku me një grup është duke avokuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Përmes një komunikate të lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, është thënë se në këtë vizitë janë duke marrë pjesë edhe nënkryetarja Saranda Bogujevci, në cilësinë e kryesueses së delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), deputetët Arben Gashi, Enis Kervan, Arjana Musliu-Shoshi dhe Besnik Tahiri, si dhe zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti.

“Ky delegacion përfaqëson përkushtimin e spektrit politik të Kosovës për të arritur anëtarësimin në KiE. Në mes të takimeve kyçe që delegacioni ka marrë pjesë ishte diskutimi në Komitetin e Çështjeve Politike dhe Demokracisë, ku Kryetari Konjufca ka prezantuar rastin e Kosovës për anëtarësim”.

Në këtë takim është thënë se janë diskutuar edhe çështje të rëndësishme që afirmojnë të arriturat e Kosovës në vitet e fundit dhe adresojnë rekomandimet nga raporti i Juristëve Eminentë.

“Gjatë diskutimit të tij kryetari Konjufca u përgjigj në pyetjet e adresuara dhe bashkëbisedoi me anëtarët e komitetit në lidhje me procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”.

“Duke shprehur mirënjohje për këtë mundësi si dhe ndaj PACE, përfshirë Komitetin dhe Sekretariatin për veprimet e menjëhershme në emërimin e juristëve dhe raportuesve të shquar, Kryetari Konjufca vlerësoi se Raporti i tyre objektiv dhe i përgatitur me shpejtësi, ka ofruar perspektiva të vlefshme”.

Kryetari i Kuvendit, shtoi se që nga viti 2008 Kosova ka dhënë një rang kushtetues dhe ka zbatuar drejtpërdrejt Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Konventën Kornizë për Minoritetet dhe, që nga viti 2020, edhe Konventën e Stambollit.

“Ne vazhdojmë të mbajmë përkushtimin për të mbrojtur standardet ndërkombëtare dhe për të promovuar të drejtat e njeriut. Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës është shënuar nga përkushtimi dhe përparimi. Vlerësoj mbështetjen dhe njohjen e vazhdueshme nga bashkësia evropiane”.

Gjatë kësaj vizite Konjufca dhe delegacioni u takuan edhe me personalitete të rëndësishme nga grupe të ndryshme politike, duke përfshirë Béatrice Fresko-Rolfo, raportuesen për Kosovën në komitetin për barazi dhe mosdiskriminim, delegacionin kombëtar të Francës, kryetarin e grupit ALDE, Iulian Bulai, si dhe deputetë e përfaqësues të pëhershëm të vendeve anëtare.

Ndërsa, është thënë se në këtë vizitë do të ketë edhe takime të tjera të rëndësishme.

Më 22 janar, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon, kishte shprehur rezerva për anëtarësim potencial të Kosovës në Këshillin e Evropës në të ardhmen e afërt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore