Shqipëria

Deklaratat e Ilir Metës, reagon Kryemadhi: Protagonizëm bosh që i shërben Ramës


Tërthorazi Monika Kryemadhi ka reaguar në lidhje me deklaratat e bashkëshortit të saj, Ilir Meta, i cili ka pranuar se raporti politik me të është thellësisht i tronditur – pas akuzave për nepotizëm në parti.

Për ish-drejtuesen e Partisë së Lirisë (Lëvizjes Socialiste për Integrim) shfokusimi nga inceneratorët dhe protagonizmi bosh i shërben vetëm mazhorancës.

“Shfokusimi nga inceneratorët që unë kam kallëzuar me përgjegjësinë e firmës time dhe protagonizmi bosh janë sot shërbimi më i mirë që mund ti bësh Edi Ramës, Erion Veliaj & Bandës së tyre”.

Sipas saj, denoncimi me fakte, prova dhe firmë konkrete “kundër bandës në qeveri dhe bashki; këto janë tema kryesore që mendoj se duhet të udhëheqin aksionin opozitar”.

Gjithashtu, “unë besoj se shqiptarët presin nga Opozita ide, vizion dhe propozime konkrete, që ngjallin shpresë dhe besim për popullin shqiptar. Se si do të rrisim mirëqenien dhe sigurinë e tyre”.

Për Kryemadhin, filmat e vjetër me të njëjtin përfundim janë pa interes për shumicën e shqiptarëve.

Mbështetja për Ukrainën në rrezik teksa kroatët votojnë në zgjedhjet parlamentare

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e ka pranuar publikisht se raporti i tij politik me bashkëshorten, Monika Kryemadhi, është “thellësisht i tronditur”.

Gjatë një interviste për emisionin “Opinion”, Meta tha se kjo ka ndodhur që prej ditës kur asokohe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila drejtohej nga Kryemadhi dhe Meta ishte President i Republikës, dogji mandatet parlamentare me gjithë opozitën.

Ky sipas Metës nuk ishte thjesht në gabim në politikë, i cili mund të korrigjohej, por një gabim fatal, pasi i la gjithë Parlamentin në dorë kryeministrit Edi Rama.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe faktin se ish-LSI-ja, PL-ja e sotme, kishte kryefjalë nepotizmin dhe kjo gjë duhet të ndryshojë.

Diçka të tillë ai e ka theksuar edhe më herët gjatë ditës, ku tha se do ta riformojë Partinë e Lirisë dhe për këtë do të kryejë shkarkime, premton zhdukjen e nepotizmit brenda forcës politike dhe drejtimin e saj jo më me “dy timonë”, por me një të vetëm…të tijin.

Meta përmendi një rast të posaçëm për këtë, kur në kohën e djegies së mandateve, 17 deputetët e tjerë të LSI-së nuk e konsideruan faktin që të konsultoheshin me të dhe i qëndronin besnikë vendimit të Kryemadhit.

Nga ana tjetër, ai shpërtheu edhe në një varg akuzash kundrejt Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Ai e ka akuzuar këtë të fundit se është në shërbim të kryeministrit të vendit, Edi Rama.

Me tone deri në ofenduese, ku bën etiketime si “SPAK-u torollaku”, apo duke thënë se kërkon përballje me kryeprokurorin Altin Dumani, Meta tha se misioni i tij tashmë është të demaskojë gjithë padrejtësitë e bëra nga Prokuroria e Posaçme.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një interviste në emisionin “Opinion”.

Ai parashtroi se nuk i intereson se në çfarë hetimi është vetë nga SPAK-u, duke e quajtur veten si politikanin më të pastër në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, thotë se i vjen keq që institucioni ka mbrojtur emra si Erion Veliaj në çështjen e inceneratorëve.

Megjithatë, akuzën e vazhdoi duke e quajtur SPAK-un edhe organizatë politike dhe jo një institucion hetimor në vend.

Ai tha ndër të tjera edhe se mendon se Dumani, e ka personale me të gjithë çështjen dhe se dosja në SPAK ndaj tij është hapur pasi Dumani është takuar me Charles McGonigal, ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, tashmë të dënuar në SHBA për lidhje me Rusinë, fshehje pasurie dhe dokumentesh.

“SPAK është në shërbim kriminal të Edi Ramës. Torollaku se kujton se me këto presione do më ndalojë mua, e duke kapur ndonjë laraskë, do marrë peng Partinë e Lirisë”, shtoi më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore