Deklarata e Hovenier-it, Haziri: Edhe një shuplakë diplomatike e Amerikës për Qeverinë Kurti

Duke komentuar deklaratën e Hovenier-it, Haziri ka thënë se kjo tregon edhe një herë se sa të shqetësuar janë miqtë e Kosovës me qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.
SHFLETO

Lutfi Haziri

 

Dini Fetahu
25.09.2024 19:39
Loading Icons...

“Edhe një ‘shuplakë’ diplomatike e Amerikës për Qeverinë Kurti”, e ka konsideruar nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, deklaratën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Të mërkurën, Hovenier ka kritikuar qasjen Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti, ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke ilustruar pikëpamjen amerikane nëpërmjet një thënie të urtë: “Gjyshi im ka thënë se nëse dëshiron të bëhesh pjesë e një klubi, atëherë mos urino në pragun e derës së atij klubi”.

“Në 1-vjetorin e sakrificës së policit Afrim Bunjaku dhe reagimit të Policisë së Kosovës të cilët parandaluan dhe eliminuan kërcënimin më të madh terrorist në Republikën e Kosovës, vjen një shuplakë diplomatike e Amerikës për Qeverinë Kurti”, shkroi Haziri në Facebook.

Se në çfarë shkalle Qeveria Kurti i ka degraduar raportet me mikun më të madh të shqiptarëve, SHBA, Haziri theksoi se tregon deklarata e ambasadorit Hovenier.

“Kjo tregon edhe njëherë sa të shqetësuar janë miqtë tanë me këtë qeveri që mbeti tash e tri vjet pa miq. Kjo qeveri, jo vetëm në derë të klubit, por ka p…… edhe në derë të mikut”.

Kjo deklaratë, sipas numrit dy të LDK-së, vjen për shkak “të kontrollit mbi polici, mosrespektimit të të drejtave për pakica si zotim dhe arsyetim i pranimit të Republikës tonë, moskoordinimit me aleatët e mosmbajtjes së fjalës e obligimeve”.

“Në anën tjetër, Prokuroria Speciale me durim dhe profesionalizëm faktuan këtë sulm dhe ngritën aktakuzë ndaj 46 pjesëmarrësve që organizuan dhe u munduan të zbatojnë një zbarkim deri të lumi Ibër, por u ndalën, u vranë, u burgosën dhe të tjerët ikën”, shtoi.

“Drejtësia dhe Gjykata duhet të tregohet e drejtë dhe zbardh deri në fund këtë plan, inkriminimin dhe rolin e shtetit serb fqinji Verior i Republikës. Drejtësia vonon, por del në dritë. Kurrë mos guxoni t’ia mësyni se nuk mund të ikni prapa më”, potencoi Haziri ndër të tjera.