Kosova

Debati parlamentar për Policinë dështoi në mungesë të pushtetit, por çfarë parasheh draft-rezoluta që opozita po e shtynë përpara?


Draft-rezoluta për Policinë e Kosovës

Debati parlamentar për shqyrtimin e projektrezolutës për mbështetje urgjente financiare për Policinë e Kosovës ka dështuar të mbahet këtë të enjte, pasi deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk morën pjesë.

Seanca e jashtëzakonshme e 12 shtatorit u thirr nga partitë opozitare, konkretisht Rezoluta për shqyrtim është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Para fillimit të seancës, Grupi Parlamentar i LVV-së ka bërë të ditur mospjesëmarrjen në seancë me arsyetimin se opozita nuk e ka hallin me Policinë, por me pushtetin.

Por, çfarë parasheh draft-rezoluta e propozuar nga opozita?

Pika e parë e draft-rezolutës për Policinë e Kosovës obligon Qeverinë e Kosovës që brenda afatit prej 15 dite nga miratimi i kësaj rezolute, të bëjë ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës dhe atë, në mënyrë retroaktive nga dita e hyrjes në fuqi për Pagat në Sektorin Publik.

“OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që të propozoj buxhetin e nevojshëm – për vitin e ri fiskal 2024, për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës, nga data 1 janar 2024”, thuhet në pikën e dytë të draft-rezolutës.

Draft-rezoluta e cila dështoi të miratohet, në pikën e tretë të saj, obligon Qeverinë e Kosovës që brenda afatit 60 ditor nga miratimi i kësaj rezolute, të marrë nismën për hartimin, propozimin dhe miratimin e Projektligjit për Pensionim të Parakohshëm të zyrtarëve policorë dhe punonjësit e Inspektoratit.

“ZOTOHET që shqyrtimin parlamentar të projektligjit nga pika 3 e kësaj rezolute, ta bëjë në procedurë të përshpejtuar në pajtim me rregullat e punës së Kuvendit”, shkruhet në pikën e katër të draft-rezolutës.

Ndërkohë partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, në mungesë të partisë mazhoritare, kritikuan këtë të fundit për mos-pjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar mbi Policinë e Kosovës.

Ilustrim: Besnik Tahiri, Abelard Tahiri dhe Armend Zemaj

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se mbështetja për Policinë e Kosovës është e rëndësishme sidomos pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

“Është e papranueshme ikja nga përgjegjësia dhe nga mbështetja për Policinë e Kosovës nga deputetët e partisë në pushtet”, tha ai.

Në anën tjetër, Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq e quajti të turpshme mospjesëmarrjen e shumicës parlamentare.

Sipas tij, mbështetja dhe përkrahja e policisë nuk është interes vetëm i partive në opozitë, por i të gjithëve.

“A duhet vetëm të kemi humbje të jetës së policëve, a duhet të kemi sakrificë që të bie në ndërgjegjeje të ekzekutivit përmirësimi i kushteve dhe përkrahja e Policisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të sigurisë?”, pyeti ai.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, theksoi se debati për mbështetje të Policisë së Kosovës ka kuptim nëse në seancë është i pranishëm kryeministri Albin Kurti dhe kabineti qeveritar.

“Ky Kuvend nuk është dashur të diskutojë nëse do të kishte qeveri të mirë dhe nëse do të kishte qeveri efektive për shtesa të rrezikshmërisë. Për shkak se ato janë obligim i Qeverisë”, tha ai.

Ndërkaq pak para fillimit të seancës, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, në një seancë të jashtëzakonshme për media tha se tendenca e PDK-së nuk ka të bëjë me gjendjen e policisë, por me arsyetimin se kinse Qeveria nuk është duke u angazhuar sa duhet dhe synimi i tyre i vetëm është vetëm pushteti dhe jo interesi i shtetit.

Draft-rezoluta për Policinë e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore