Sport

David Alaba shpallet futbollisti më i mirë austriak i vitit 2021


David Alaba është shpallur futbollisti më i mirë i vitit në Austri.

Mbrojtësi i Real Madrid-it – David Alaba, ka fituar për herë të tetë në karrierë çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në Austri.

Viti 2021 ka qenë një vit shumë interesant për austriakun.

Ai e nisi këtë vit në Gjermani, me Bayern Munich – ku arriti të fitojë Bundesliga-n dhe Kupën e Botës për klube.

Më pas, ai ishte kapiten i Austrisë në EURO 2020.

Alaba ishte lojtari më i dalluar i Austrisë në këtë kampionat Evropian, duke qenë vendimtar që austriakët të sigurojnë për herë të parë kualifikimin përtej fazës së grupeve.

Pas EURO 2020, ai u zyrtarizua si numri katër i Real Madrid-it, klubit të ëndrrave të cilit ai u bashkua si lojtar i lirë.

Në Madrid, ai menjëherë e ka zënë vendin e startuesit, duke u shndërruar në një prej lojtarëve kyç të madrilenëve.

Më parë, Alaba e kishte fituar çmimin e futbollistit më të mirë austriak në këto vite: 2011, 2012, 2013, 2014, 2015, 2016 dhe 2020.

Alaba aktualisht është i infektuar me COVID-19, dhe do t’i mungojë madrilenëve për ndeshjen e fundit të vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore