Kosova

CorrWatch kërkon anulimin e procesit të rekrutimit në “Iber Lepenc”, gjen shkelje


Hidrosistemi Ibër Lepenc.

Tri organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar që procesi i rekrutimit për pozitën e zyrtarit për auditim të brendshëm në Ibër-Lepnc të rishqyrtohet, kjo për shkak se në të njëjtin janë identifikuar shkelje.

Organizata CorrWatch ka thënë se për këtë pozitë është ftuar në intervistë një kandidat që s’ka përmbushur kriteret e përcaktuara.

“Gjatë monitorimit të fazës së verifikimit paraprak për këtë proces rekrutimi, CorrWatch ka identifikuar shkelje. Më konkretisht, komisioni ka përfshirë në listën e ngushtë dhe ka ftuar për intervistë një kandidate që nuk ka përmbushur kriteret e përcaktuara në shpallje, veçanërisht ato që lidhen me përvojën e punës”.

“Gjatë verifikimit paraprak, kjo kandidate nuk kishte dokumentet që mbështesnin përvojën e saj të punës dhe të njëjtat i ka dorëzuar pas afatit të paraparë në konkurs”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, kjo praktikë është diskriminuese ndaj kandidatëve të tjerë.

“Dhe bie ndesh me rregullat e konkursit, të cilat përcaktojnë qartë se “kandidatët me dokumentacion të pakompletuar, të paplotësuar, jo të duhur dhe jashtë afatit të konkurrimit do të refuzohen.”

Në Kosovë, konkursi për zyrtar të Auditimit të Brendshëm shpallet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për institucionet qendrore dhe nga komunat për institucionet lokale.

Ky proces rregullohet nga Ligji për Auditimin e Brendshëm në Sektorin Publik dhe udhëzimet administrative të lidhura me të.

Zyrtari i Auditimit të Brendshëm ka një rol kyç në mbikëqyrjen dhe përmirësimin e operacioneve të brendshme të një organizate, veçanërisht brenda sektorit publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore