Kosova

Çitaku: Qeveria s’është e interesuar as për demokraci dhe as për media të lirë


Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj sulmeve që po i bën Lëvizja Vetëvendosje ndaj gazetarëve duke thënë se këtij pushteti s’po i intereson as demokracia e as mediat e lira.

“Tjetër ditë – tjetër sulm i Qeverisë dhe eksponentëve të saj ndaj mediave dhe gazetarëve. Demokracia dhe media e lirë shkojnë së bashku, prandaj duket se kësaj Qeverie nuk po i intereson as njëra dhe as tjetra”.

“E dhimbshme me pa këtë tendencë të pushtetit me shtyp çdo fjalë dhe çdo mendim kundër. E frikshme!”, ka shkruar Çitaku në rrjetin social ‘Facebook’. 

Vetëm për shtatë muaj të vitit 2024, në Kosovë janë shënuar 24 sulme ndaj gazetarëve – pesë prej të cilëve vinë nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Këto sulme janë bërë të ditur nga të dhënat që ka aktualisht Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

I fundit që ndodhi ndaj dy mediave u bë më 23 qershor ku dy deputet të Lëvizjes Vetëvendosje Sali Zyba dhe Dimal Basha, ndaj dy mediave online në vend “Periskopit” dhe “Nacionale” kanë shpërndarë një artikull të një mediumi boshnjak “Slobodna Bosna”, në të cilën akuzohen këto media se janë nën “kontroll” të Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiç.

“Ndërmarrje e përbashkët kriminale”, “të paguar nga Serbia” –  janë këto dy etiketimet që tregojnë realitetin aktual të gazetarisë në Kosovë dhe sulmet që bëhen vazhdimisht ndaj të njëjtëve që mision e kanë informimin.

Regresi i lirisë së shtypit së fundmi ishte treguar edhe nga raporti ndërkombëtarë i “Reporterëve pa Kufij”, duke hedhur dritë mbi një situatë që shpesh herë ka qenë nën hijen e së keqes.

Në dekadën e fundit, Kosova për herë të parë u radhit kaq dobët në këtë raport ku shënoi rënie për 19 vende – duke treguar sinjalin që dhuna, kërcënimet, sulmet, gjuha e urrejtjes, vazhdon të mbizotëroj veçse nga vitet paraprake ajo ka shënuar rritje.

Qasja jo e duhur me mediat dhe tentimet për ta përlyer punën e saj është bërë nga qeverisja aktuale e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti – kjo në shumicën e rasteve për shkak të mospajtimit me politikat e tij.

Narrativa armiqësore, etiketime, fyerje, tendenca për kontroll – Mediat në Kosovë nën trysninë e pushtetit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore