Kosova

Çitaku e quan skandaloze përfshirjen e Kurtit edhe në zgjedhjet në Zvicër


Vlora Çitaku

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e ka cilësuar si skandaloze tendencën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për të mbështetur Partinë Socialdemokrate në zgjedhjet federale të Zvicrës që do të organizohen më 22 tetor të këtij viti.

Sipas nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Kurti në vend se të përzihet në punët e brendshme e në zgjedhjet parlamentare të një vendi, të angazhohet për t’i larguar masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian të vendosura Kosovës.

“Skandaloz. Koston e sjelljes tuaj të papërgjegjshme po e paguan Kosova”, ka shkruar Çitaku në rrjetin e saj social në Facebook.

Mediumi zviceran, Blick, javë më parë kishte raportuar se Kurti do të mbaj një fjalim në një panel diskutimi të organizuar nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës.

Partia Socialdemokrate e Zvicrës, siç kishte shkruar ky medium, po tenton të përdor kryeministrin Kurti për të kanalizuar kështu votat e diasporës shqiptare në Zvicër.

Ndonëse një vizitë e tillë nuk është ende e konfirmuar, shefi i Qeverisë, në një intervistë të dhënë për të përditshmen zvicerane Blick, në janar të këtij viti, kishte paralajmëruar se po shqyrtohen mundësitë e një bashkëpunimi në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate të Zvicrës sidomos në fushata zgjedhore.

Albin Kurti

“Synimi është që ne të mbështesim njëri-tjetrin në fushata zgjedhore në atë mënyrë që ne të dy të fitojmë forcë”, kishte deklaruar Kurti muaj më parë.

Përpos kësaj Kurti tregonte në po këtë intervistë se Cedric Wermuth-in, bashkëpresident i Partisë Socialdemokrate, e ka mik të afërt.

“Cedric është një mik i mirë i imi. Partitë tona i përkasin të njëjtës familje ideologjike. Ne kemi shumë kosovarë në Zvicër që janë anëtarë të PS-së dhe njëkohësisht të partisë sime Vetëvendosje. Ne duam të ndihmojmë njëri-tjetrin me fushata”.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Popullore Zvicerane i njohur ndryshe si SVP dhe Këshilltari Kombëtar Peter Keller, në anën tjetër e ka cilësuar si “plotësisht të gabuar” paraqitjen e planifikuar të kryeministrit Kurti në një fushatë zgjedhore në Zvicër.

“Zvicra nuk duhet të ndërhyjë në fushatat zgjedhore të vendeve të huaja dhe vendet e huaja nuk duhet të ndërhyjnë në fushatën zgjedhore zvicerane”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

Kurti përfshihet edhe në fushatën zgjedhore në Zvicër, kritikohet nga partia në pushtet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore