Sport

Camavinga flet për herë të parë si futbollist i Real Madrid-it


Eduardo Camavinga u prezantua sot zyrtarisht si futbollist i Real Madrid-it.

Talenti 18-vjeçar u transferua te madrilenët nga Rennes në ditën e fundit të merkatos verore.

Pas testeve mjekësore, ai nënshkroi kontratat e nevojshme, para se të prezantohej me fanellën e bardhë mbretërore, dhe numrin 25 në shpinë.

Si çdo i ri, një lëvizje si kjo edhe për Camavinga-n duket e pabesueshme.

“Po të më thoshte dikush disa vite më parë se do të luaja për Real Madrid-in, asnjëherë nuk do të besoja”, filloi fjalimin e tij të parë si madrilen Camavinga.

Ai mund të ketë ardhur në klub në një moment të mirë, të paktën personalisht.

Kroos, Modric dhe Casemiro nuk priten të jenë të gatshëm këtë fundjavë për ndeshjen kundër Celta-s, duke i lënë Eduardo-s hapësirë që ndeshjen ta nisë nga fillimi.

“Jam i gatshëm të luaj”, shprehet ai.

“Benzema” është përgjigja e tij në pyetjen se kush mund t’i ndihmojë më shumë te Los Blancos.

“Ai është idhulli im, të gjithë e dimë se sa i sjellshëm është ai me të rinjtë dhe sa shumë i ndihmon, shikojeni Vinicius-in”, vazhdoi Camavinga.

“Rivaliteti në këtë klub është i madh, dhe kjo gjë më motivon”.

Sa i përket mënyrës se si u kompletua transferimi i tij, Camavinga thotë se ai “interesohet vetëm për futboll”, kurse për gjërat tjera “përgjigjen prindërit” e tij.

Për pozitën e tij të prefuar, Camavinga thotë se është “para mbrojtësve”.

“Por”, vazhdon ai, “çfarë do që thotë trajneri, është e pranueshme për mua”.

Pritet shumë që ai të dielën të paktën të ketë disa minuta nga stoli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore